Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se vlera e abuzimeve në vit shkon në 1.2 miliardë euro, ndërsa tenderat sipas saj zënë peshën më të madhe në këto abuzime.
Ajo thotë se shqiptarët paguajnë taksa më shumë në rajon dhe kanë korrupsionin më të lartë.
Reagimi i plotë:
Përvit shqiptarët janë përballur me taksa dhe tarifa shtesë. Abuzimi i qeverisë me taksat e shqiptarëve rritet përvit e më shumë, në gjashte vjet ai ka arritur shifrën e 5.9 mld euro. Janë mesatarisht 1.2 mld euro në vit abuzime që shkaktojnë dëm ekonomik sipas KLSH.
Sakaq, tenderat zënë 1/3 e dëmit ekonomik, 1.7 mld euro është vlera totale e dëmit të shkaktuar nga to. 1 në 3 tendera jepen pa garë ndërsa vendi është kthyer në epiqendrën e korrupsionit sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare.
Shqiptarët paguajnë taksa më shumë se rajoni dhe kanë korrupsionin më të lartë në rajon. Kosto e korrupsionit sot po lë pa punë shqiptarët, po bjerr buxhetin e shtetit, po lë vendin pa rrugë shkolla e spitale, korrupsioni po gërryen ekonominë, po largon shqiptarët.
Taksat e ulëta, heqja e burokracive të parëndësishme, zbatimi ligjit dhe beteja për lirinë e tregut janë hapat që do shpëtojnë shqiptarët nga sëmundja e korrupsionit. Këto janë hapat që PD dhe opozita do ndërmarrë ditën e parë në pushtet.