Nga Ilir Nikolla
Edi Rama e ka mësuar publikun shqiptar të mbllaçisë shifra rrumbullake, në të shumtën e rasteve mbi 1 miliardë dollarë, të cilat shkojnë për investime, rindërtime, vizione dhe gjëra që ndajnë “të djeshmen nga e sotmja”. Etja e tij për të bërë një thyerje me të shkuarën ka kaluar buxhet pas buxheti nën zhurmën e miliarda dollarëve, por ende në Tiranë e në provinca njerëzit përmendin rrugët e Sali Berishës, projektet e ullinjve dhe arrorëve të Sali Berishës, TAP-in e Sali Berishës dhe hidrocentralet e Sali Berishës. Nga projektet miliardëshe të Edi Ramës s’ka asgjë, sepse ato janë në fakt miliarda teorike, miliarda paradhënie e koncesion, të cilat kur të vijë puna për verifikim, kushedi se ku do kenë çarë ferrën përgjegjësit.
Fiksimi i Edi Ramës me shifrën 1 miliardë dollarë u kthye sërish këto ditë, kur ai, si me zë të ulët dhe nëpër dhëmbë, e la të pataksur ministrin e jashtëm italian Luigji Di Maio, teksa i tha se qitapi e tij e kish dhënë përgjigjen shifrore dhe se dëmi i shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit ishte 1 miliardë dollarë. Shifra e frikshme nuk ishte përmendur asnjëherë më herët, kur ishte marrë vendimi solidar i Bashkimit Evropian për të mbajtur një konferencë donatorësh për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga tërmeti dhe Di Maio nuk e mbajti dot habinë dhe revoltën, duke ja prerë shkurt Ramës se “1 miliardë janë shumë”.
1 miliardë ishin një shifër e paimagjinueshme për çdo specialist që u mor me llogaritjen e dëmeve, ditët e para pas tërmetit. Në mediat pranë qeverisë u përmend fillimisht shifra prej 300 milionë dollarë dëmesh, më pas një inxhinier pranë kryeministrit, në një takim të thirrur po prej kryeministrit, tha disa ditë më vonë se ishte detyrë e qeverisë që të alokonte fondin prej 500 milionë dollarësh, aq sa llogariteshin dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Vizitat e mëpastajme të Ramës në Evropë për të sponsorizuar tezën e konferencës së donatorëve u shoqëruan me shkrimet e porositura në portalet pranë qeverisë, se shifra e dëmeve parashikohet të shkojë në 600-700 milionë dollarë.
Kur konferenca e donatorëve u zyrtarizua, loja nisi të trashet. Nuk ishte më ai Edi Ramë i seancës plenare të parlamentit në dhjetor, që deklaronte se shifra e buxhetit që do të alokohej për ndërtimin e shtëpive të prishura nga tërmeti ishte rreth 70 milionë euro, ndërkohë që e gjithë shifra e alokimit në buxhetin e 2020-s, për eliminimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti nuk i kalonte 200 milionë eurot. Me zyrtarizimin e konferencës, hynin në punë shifra të tjera dhe mendjet e “public relations”-it pranë qeverisë s’mund të riciklonin tjetër veç shifrës 1 miliardë dollarë.
Ajo shifër pat bërë punë kur u shpall projekti “one billion” për ndërtimin e rrugëve dhe pagesën e tyre në advancë. Shifra shoqërohej me projektet në 3D të 7-8 akseve krejtësisht të reja, por është katandisur në miratimin skandaloz të koncesionit për vetëm 3 rrugë, të cilat vetëm ato të treja kushtojnë...(pa shih...) fiks 1 miliardë dollarë. Merret vesh se s’mund të aplikohej shifra 500-600 milionë dollarë për rindërtimin e qendrave të qyteteve në periferi. Ajo ishte shifër shumë e vogël për të fshehur punë të mëdha. Për dëmet e tërmetit duhej vepruar njëlloj si me borxhet që u tha se qeveria Berisha i la qeverisë pasardhëse. Në diskutimin e parë buxhetor, në 2013 u tha se ishin rreth 150-200 milionë dollarë, ndërkohë që në propagandën e pas vitit 2017, fjalimet në parlament, për të justifikuar mungesën e investimeve nga buxheti i shtetit si dhe rënien e rritjes ekonomike, shifra e fiksuar është 700 milionë dollarë.
Shkurt, funksionon më mirë edhe për propagandë, kur shifrat janë të larta, kur janë rrumbullake, edhe më mirë. Tani ka ardhur radha e riciklimit të 1 miliardëshit të tërmetit, një shifër sa çereku i buxhetit vjetor të shtetit.
Se sa do të ecë skema nuk dihet, por nami se ndihmat e para që mbërritën për tërmetin e 26 nëntorit, shqiptarët po i shesin në treg, tashmë ka mbërritur në qarqet e organizatave humanitare italiane që u morën me dërgimin e ndihmave javët e para pas 26 nëntorit. Ky nam sigurisht është regjistruar edhe nga kancelaritë perëndimore, të cilat jam i sigurtë se e kanë regjistruar alarmin se kryeministrit të Shqipërisë nuk është mirë t’i lihen në dorë “playstation” me vlerën e 1 miliardë dollarëve, pasi ai është i varur prej tyre.