Netanyahu: Plani i Trumpit, mundësi që kapet një herë në histori

Hënë, 27 Janar 2020 08:39

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se plani i presidentit amerikan Donald Trump i quajtur si “Marrëveshja e Shekullit” që pretendohet se është përgatitur me qëllim “për të gjetur një zgjidhje” për çështjen izraelito-palestineze është “një mundësi që kapet një herë në histori”

Para takimit të zakonshëm javor të kabinetit, Netanyahu rikujtoi se sot niset për në SHBA për t’u takuar me presidentin Trump. “Në Washington po shkoj me një mision të madh, me një përgjegësi të madhe dhe me një ndjenjë për fitore të madhe dhe gjithashtu jam i mbushur me shpresën se mund të shkruajmë historinë”, tha Netanyahu.

Ai tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e takimit që do të zhvillojë me Trumpin. “Ndodhemi në mes të ngjarjeve diplomatike shumë dramatike por samitin e kemi ende përpara. Do të takohem me mikun tim, presidentin e SHBA-ve Donald Trump i cili do të prezantojë ‘Marrëveshjen e Shekullit’. Për mendimin tim një mundësi e tillë vjen në histori një herë dhe nuk mund ta lëmë që të na ikë”, tha Netanyahu.

“Që prej tre vitesh kam zhvilluar bisedime me Trumpin dhe ekipin e tij mbi nevojat kombëtare dhe sigurisë së Izraelit”, tha Netanyahu duke shtuar se “Në të gjitha këto bisedime në Shtëpinë e Bardhë gjeta një vesh që dëgjon nevojat jetësore të Izraelit”.

Nesër presidenti amerikan Trump në Shtëpinë e Bardhë do të dikutojë planin për “Marrëveshjen e Shekullit” me liderin e Aleancës “Kaltër dhe Bardhë”, Benny Gantz fituesin e zgjedhjeve të mbajtura vitin e kaluar më 17 shtator në Izrael. Ndërsa të martën Trump këtë çështje do ta diskutojë me kryeministrin Netanyahu.

Trump më parë bëri të ditur se planin për “Marrëveshjen e Shekullit” do ta shpalos para takimit që do të zhvillojë më 28 janar me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë.

Plani “Marrëveshja e Shekullit”

Edhe pse ende nuk janë bërë të ditur detajet rreth planit për “Marrëveshjen e Shekullit” për të cilën pretendohet se e ka përgatitur Trump me qëllim për të “gjetur zgjidhje” në çështjen izraelito-palestineze, në mediat ndërkombëtare ka disa informacione lidhur me këtë.

Sipas lajmeve, marrëveshja parashikon pika në disfavor të palestinezëve, të tilla si që Kudsi t’i dorëzohet plotësisht Izraelit dhe një pjesë e madhe e vendbanimeve ilegale hebreje të vazhdojnë praninë e tyre në Bregun Perëndimor.

Plani thuhet se nuk përmend të drejtën e kthimit të rreth 6 milionë refugjatëve palestinezë të cilët Izraeli i ka dëbuar nga territoret e tyre.

Planin të cilin presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas e ka quajtur si “Shuplaka e Shekullit”, përveç disa ndihmave ekonomike thuhet se nuk përfshin asgjë në favor të popullit të Palestinës.

Detajet e planit në fjalë nuk janë ndarë ende me opinionin publik për shkak të krizës së koalicionit i cili vazhdon prej më shumë se një viti në Izrael.

Login to post comments