Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kujton përmes një postimi në “Facebook” miliona viktimat e pafajshme të Holokaustit.
Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, shkruan Meta, duhet përkujtuar kjo mizori e pashpirt, që goditi në zemër të Evropës dy dekada më parë. Sipas Kreut të Shtetit, gjenocide dhe akte të tilla çnjerëzore nuk duhet të ndodhin dhe nuk duhen lejuar të ndodhin kurrë.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, përkujtojmë me nderim miliona viktima të pafajshme të mizorisë së pashpirt të Holokaustit, në mënyrë që antisemitizmi, mungesa e tolerancës, bashkëjetesës, dhe shkeljet e lirive e të drejtave të njeriut, të mos përsëriten KURRË MË.
Dy dekada më parë në zemër të Europës, fatkeqësisht ishim dëshmitarë të masakrave e spastrimit etnik dhe fetar në Bosnje e Hercegovinë, dhe Kosovë. Gjenocide dhe akte të tilla çnjerëzore ndaj kujtdo që i përket një feje, etnie apo kombësie ndryshe, nuk duhet të ndodhin dhe nuk duhen lejuar të ndodhin KURRË MË në botën ku jetojmë!
Krenar për kombin tonë, që në periudhën më të errët të njerëzimit, mbrojti dhe mirëpriti mijëra hebrenj të larguar nga vendet e tjera, duke mos dorëzuar asnjë te pushtuesit. #WeRemember #NeverAgain”, shkruan Meta.