Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka pritin sot në një takim, ambasadoren e sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim.
Ky ishte takimi i parë zyrtar i ministres së Mbrojtjes me ambasadoren e re amerikane, ndërkohë që një vit më parë, zonja Kim ishte pjesë e stafit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, gjatë vizitës që ministrja Xhaçka zhvilloi në SHBA.
Në një publikim në rrjetet sociale, ministrja e Mbrojtjes vlerësoi angazhimin e ambasadores Kim në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e Mbrojtjes.
“Ishte vërtet një kënaqësi që prita sot në takimin e saj të parë zyrtar, pas prezantimit të letrave të saj kredenciale, ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim. E lumtur që ashtu si në takimin tonë të parë në Pentagon, vitin që shkoi, kur ambasadorja Kim ishte pjesë e stafit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, ndamë të njëjtat vlerësime e konsiderata për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes vendeve tona. Është fat për ne, që SHBA përfaqësohen në Shqipëri me një zonjë të kalibrit të ambasadores Kim dhe jam optimiste që falë punës e angazhimit të saj, bashkëpunimi e partneritetit mes Departamenteve tona të Mbrojtjes do të vijojë e do të fuqizohet akoma më shumë, duke ndihmuar në modernizimin e FA dhe duke i mundësuar Shqipërisë të japë një kontribut gjithmonë e më të madh për sigurinë, stabilitetin e paqen krah për krah aleatëve tanë amerikanë.
Mirëserdhe në Tiranë e dashur Yuri!”