Ditën e djeshme, një intervistë e kreut të opozitës, Lulzim Basha, bëri xhiron e rrjetit për arsyen e gabuar. Pavarësisht se Basha nuk fliste në asnjë moment të intervistës me ABC News për marrëveshje për zgjedhje të parakohshme dhe as për dokument të nënshkruar nga Edi Rama për këtë qëllim, disa portale e pasqyruan në këtë mënyrë deri në momentin kur intervista u zbardh e plotë.
Mëngjesin e së shtunës, numri dy i PS, Taulant Balla iu përgjigji pikërisht këtij keqkuptimi.
“Lulzim Basha paska “konfirmuar” marrëveshje për zgjedhje të parakohshme! Mbase kjo i vlen si një fantazi e re për të mbajtur ca muaj të tjerë me oksigjen simotrën dhe sivëllezërit e aleancës jashtëparlamentare dhe e mirekuptojmë. Por zgjedhjet e parakohshme nuk janë temë e dialogut me atë aleancë, dmth as me Lulzim Bashën,” tha Balla.
Por nuk është ironike pjesa që Balla reagon ndaj një lajmi që nuk ekziston, por ajo kur ai thotë se e ka bërë ai sqarimin, pasi Rama është i angazhuar me punë të mëdha globale.
“Sqaroj se e dhashë unë këtë pergjigje, sepse Kryetari Rama është plotësisht i angazhuar me Rindërtimin dhe angazhimet e tjera të mëdha si Kryeministër dhe si Kryetar i OSBE gjatë vitit 2020. Prandaj as nuk merret asnjë minutë dhe as nuk mund të prononcohet për çështjet që lidhen me bashkëpunimet apo ndërveprimet partiake,” thotë Balla.