I ftuar në Syri TV për të komentuar votimin e qeverisë së re të Kosovës dhe atë çfarë pritet në vazhdim me qeverinë Kurti, kreu i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë në PD, Kreshnik Çollaku është shprehur se, forca që ai drejton respekton verdiktin e qytetarëve të Kosovës dhe çdo qeveri që del prej votës së tyre.
“Ne si PD e kemi përshëndetur. LDK është simotra e PD, por me një qëndrim të qartë: PD respekton verdiktin e qytetarëve të Kosovës. Edhe kur qeveritë janë drejtuar nga parti të tjera e kemi respektuar verdiktin e qytetarëve”, u shpreh Çollaku.
Sa i përket debateve sot në Kuvendin e Kosovës dhe cilësisë së diskutimeve, Çollaku foli me superlativa: “Cilësia e debatit ishte aq e lartë sa të vije zor ta kaloje te stacionet në Tiranë. Realisht Kosova është një vend me pjekuri politike. Albin Kurti vjen si opozitar i paepur, 23 vjet në opozitë. Albin Kurti nuk ka mungesë aftësie. Nuk e shoh si një politikan të futur në një kornizë e që nuk lëviz dot. Ka kohë të analizojë veten, edhe defektet”.
Sa i përket një prek pikave të programit të VV dhe Albin Kurtit, mishërimi në Kosovë i Demokracisë sociale të vendeve skandinave, zyrtari i selisë blu u shpreh se kjo është një aspiratë që duhet parë në vazhdim.
“Është një aspiratë por sa i realizueshëm është, kjo duhet parë. Rruga do na e tregojë.
Nuk e njoh gjatë zotin Kurti, por përshtypja personale për të është, Albin Kurti është një politikan pragmatist. Ka një ambicie të qartë për të ndryshuar diçka në Kosovë, me ideologjinë e tij. Pse e ka ngritur lart stekën? Ky është basti i tij. Ka një pritshmëri ndaj tij, kjo është e mirë për të por edhe e keqe pasi mund ti kthehet si bumerang”, tha Kreshnik Çollaku.