Pas vizitës në Tiranë, David Sassoli: Shqipërisë nuk i është thënë asnjëherë ‘Jo’

E mërkurë, 05 February 2020 12:42

Shqipërisë nuk i është thënë asnjëherë “Jo” për procesin e anëtarësimit në BE. Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, në intervistë për Deutsche Wellen flet për procesin e hapjes së negociatave dhe reformat.

DW: Z.Sassoli, në fjalën e mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë iu drejtuat politikanëve me një mesazh për rininë e vendit. Iu citoj: "Gjithçka duhet të bëhet në interes të rinisë. Ata janë e ardhmja dhe ne duhet t'u mundësojmë atyre një vështrim të sigurtë drejt së ardhmes”. Nga ana tjetër, rinia shqiptare, veçanërisht ajo e mirëarsimuara, po largohet nga vendi ditë pas dite. A nuk është ky mesazh paksa kontradiktor me situatën aktuale në Shqipëri?

David Sassoli: Jo, sepse ne kemi nevojë për një politikë që të shohë drejt së ardhmes dhe, sigurisht, nëse duam të shikojmë drejt së ardhmes, duhet të shohim drejt të rinjve, drejt perspektivave të jetës dhe të punës së të rinjve tanë. Dimë sa mundësi mund të krijohen në Shqipëri, por sa mundësi me një Shqipëri gjithmonë e më të lidhur me Europën, jo vetëm nën aspektin e të drejtave, por edhe të cilësisë, së standardeve të përbashkëta. Dhe, për ne europianët, është shumë e rëndësishme të vemë bast mbi procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo do të thotë të krijojmë kushte të sigurta për vendet tona, t'i bëjmë të rriten së bashku, t'u japim të gjithëve një perspektivë të një të ardhmeje në siguri dhe në paqe. Sigurisht, kemi shumë mekanizma për të përshtatur në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Shqipëri, por shohim në mënyrë shumë të favorshme, me shumë besim përpjekjet që janë bërë. Sot Tirana është një qytet europian, me një rini europiane, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sigurisht që duhet të mendojmë edhe për sakrificat që janë bërë nga brezat e kaluar në proceset që kanë filluar që prej viteve ‘90 e deri më sot, sakrifica të mëdha. Ja përse të rinjtë duhet t'u jenë mirënjohës brezave të kaluar. Por në të njëjtën kohë, kemi nevojë, sigurisht, që të vëmë bast më shumë për të ardhmen tonë

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë për ne është një proces shumë i madh, vendimtar për të pajtuar hapësirën gjeografike me hapësirën politike të Europës dhe, sigurisht, për të krijuar siguri për vendet tona. Dimë që ikja e të rinjve nga Shqipëria, ashtu sikurse edhe nga shumë vende të tjera, nga vende europiane, ndodh mbi të gjitha sepse rritja e vendeve tona shpesh nuk është e përshtatshme. Ja përse një Europë e fortë mund të garantojë më mirë rritjen e vendeve të veta. Kemi nevojë në këtë moment për një përpjekje më shumë dhe, domethënë, atë të përshtatjes së agjendave të vendeve me agjendën europiane. Ja përse unë i ftoj si autoritetet, ashtu edhe qeverinë shqiptare që të bëjnë të mundur që të gjitha planet, të gjitha projektet, të gjitha nismat, të kenë si pikë referimi agjendën europiane.

Dimë se sa e rëndësishme është sot të gjendet konsensusi, në mënyrë që basti i Green Deal europian të pranohet nga të gjithë, të bëhesh udhëheqës në luftën kundër ndryshimeve klimatike për një model të ri zhvillimi, i cili të japë më shumë siguri, por edhe më shumë punë. Dhe besoj se kjo është në interesin e të gjithëve dhe, natyrisht, edhe të një vendi si Shqipëria.

DW: Gjatë dy ditëve të vizitës suaj në Shqipëri takuat përfaqësuesit më të lartë të politikës. A patë tek ata një vullnet të mirë për të çuar përpara reformat, sidomos ato më të rëndësishmet, reformën elektorale dhe veçanërisht atë gjyqësore?

David Sassoli: Po, unë e gjeta këtë vetëdije dhe jemi të sigurt që edhe procesi i dialogut midis forcave politike në këtë moment duhet të fokusohet mbi interesin kombëtar të çeljes së negociatave të anëtarësimit. Natyrisht, përreth kësaj, të gjitha sinjalet janë të rëndësishme, rifillimi i dialogut midis mazhorancës dhe opozitës, tryeza për reformën zgjedhore, implementimi i reformës në drejtësi, që është baza mbi të cilën pastaj mund të zhvillohen edhe shumë reforma të tjera, mendojmë për të drejtën e pronësisë, por edhe për çështjet që lidhen me konkurrencën. Natyrisht, është baza e një procesi që duhet të ndjekim dhe të gjithë janë të ftuar që ta garantojnë. Por besojmë se është shumë e rëndësishme dhe sinjalet që kam marrë janë të gjitha pozitive, ekziston kjo vetëdije, për t'u bashkuar për një bast, që është ai i anëtarësimit, që duhet të tregojë edhe imazhin e një vendi të fortë, të një sistemi demokratik të fuqishëm. Dhe besoj se këto mesazhe janë përcjellë me zgjuarsi, me fuqi, me vendosmëri dhe janë edhe baza për të bindur ato vende që e kanë ngadalësuar procesin e anëtarësimit, në mënyrë që të lirojnë frenin e dorës dhe të bëjnë të mundur që të fillojë ky proces. Ne kemi shumë besim për këtë, institucionet europiane janë të bindura se Shqipëria është e gatshme për të filluar këtë udhëtim të gjatë. Kemi shumë gjëra për të bërë së bashku. Dhe, sigurisht, ne e presim në Bruksel Shqipërinë.

DW: Por z.Sassoli, është kjo klasë politike tek e cila nuk kanë besim shqiptarët dhe gjatë këtyre 30 viteve besimi është gjithnjë e në rënie. Mendoni se këta politikanë janë njerëzit e duhur për të çuar përpara këto reforma?

David Sassoli: Mua më intereson që sistemet demokratike të jenë të forta dhe që të mos dalin nga moda. Ne besojmë se e ardhmja e vendeve tona është e lidhur me sistemet demokratike. E pastaj, do të jenë qytetarët ata që do t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Natyrisht, neve na intereson që kornizat e shtetit të së drejtës të garantohen, të jenë të fuqishme. Dhe besoj se këto janë parakushtet që Shqipëria në këtë moment mund të përcjellë me besim. Ne, sigurisht, duhet të përforcojmë shtetin e së drejtës në të gjitha vendet dhe, sidomos, në ato vende që dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Ky është interesi ynë.

DW: Duke u rikthyer tek rinia, a mendoni se ka ardhur koha që ajo të ketë përfaqësuesit e saj edhe në politikë e të mundet të krijohet një klasë e re politike?

David Sassoli: Shpresojmë që partitë ta ndiejnë këtë nevojë, kemi parë me besim disa sondazhe që thonë se popullsia shqiptare në më shumë se 90% beson në të ardhmen europiane të vendit. Dhe kjo, natyrisht, mendoj se është një mesazh që u duhet drejtuar dhe partive politike, forcave politike. Nuk kemi reshtur kurrë së mbështeturi idenë që gjithçka duhet të përtërihet, po kështu edhe partitë politike me brezat e rinj e kanë këtë mundësi. E pastaj, po të jenë të rinj që shpresojnë kanë besim tek Europa, mirë, kjo sigurisht për ne është edhe më e rëndësishme, e ndiejmë si një angazhim të institucioneve europiane t'i jemi afër popullit shqiptar.

DW: Të ndalemi tek procesi i hapjes së negociatave për Shqipërinë. Vitet e fundit është dhënë vazhdimisht "Jo” si përgjigjje. Kur do të presin shqiptarët për një "Po” dhe a është samiti i majit në Zagreb një mundësi e artë për këtë "Po”?

David Sassoli: Jo, unë dëshiroj, mbi të gjitha, t'i siguroj qytetarët shqiptarë se nuk është thënë asnjëherë ndonjë "Jo”, është ngadalësuar procesi i anëtarësimit, që është tjetër gjë. Por nuk ka ardhur asnjëherë ndonjë "Jo” nga ana e askujt. Disa vende, nëntorin e kaluar, kanë menduar se duhej të sqaroheshin më mirë disa rregulla të metodologjisë së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe kjo do të bëhet. Komisioni është angazhuar që të paraqesë në ditët e ardhshme rregullat e reja të metodologjisë. Për këtë ne jemi të sigurt që edhe ato vende që kanë shprehur disa mëdyshje, mund të mendojnë prapë për vendimin e tyre. Por Europa është e bindur që procesi duhet të shkojë përpara, ndonjë "Jo” nuk është thënë asnjëherë. Nuk do të doja që të përcillej ndonjë mesazh i gabuar. Europa është e bindur për nevojën historike, politike, ekonomike të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe kjo është e ardhmja jonë.

DW: Duke lënë mënjanë politikën, qytetarët në përditshmërinë e tyre përballen me varfërinë, korrupsionin, me një sistem drejtësie që nuk funksionon si përshembull Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, ku numri i dosjeve që janë në pritje të shqyrtimit kanë arritur kulmin. Me të gjithë këto probleme, a është Shqipëria gati të hyjë në BE?

David Sassoli: Po të mos ishin këto probleme, Shqipëria tashmë do të ishte në Bashkimin Europian. Ne e dimë që procesi i anëtarësimit duhet ta ndihmojë Shqipërinë që të arrijë standardet e nevojshme për t'u futur në Bashkimin Europian. Procesi i anëtarësimit shërben për këtë, në mënyrë që të arrihet që një vend mund të verë bast mbi të ardhmen e tij që të anëtarësohet në Bashkimin Europian duke arritur objektivat. Ky është procesi i anëtarësimit dhe, natyrisht, me të gjithë mbështetjen, me programet, me nismat, por edhe me burimet që Bashkimi Europian mund të bëjë të mundur për këtë lloj përshtatjeje. Është kjo ajo që ne urojmë. Shohim përpjekje, shohim një vullnet, kemi parë disa suksese, kemi parë disa reforma, dhe e gjithë kjo, sigurisht, na bën të mendojmë se Shqipëria është në kushtet për të filluar, por nuk është fundi i procesit, jemi në fillim të procesit. A janë arritur objektiva me anën e reformave të rëndësishme? Ne mendojmë se po. Reforma në drejtësi është një bazë. Natyrisht që kemi nevojë edhe për gjëra të tjera, kemi nevojë për një kornizë të shtetit të së drejtës, jemi të bindur për këtë. Ja përse i kuptojmë përpjekjet dhe duam të ndihmojmë në mënyrë që këto përpjekje, në një proces anëtarësimi, t'i bëjnë të mundur Shqipërisë që të hyjë me të drejta të plota mes vendeve të Bashkimit Europian.

DW: Z.Sassoli, kam një pyetje të fundit për ju dhe ka të bëjë me paketën e ligjit anti-shpifje, e cila ka ngjallur shumë debate në Shqipëri dhe gazetarët e shoqëria civile thonë se ajo cenon lirinë e medias. Si një ish-gazetar, doja të dija mendimin tuaj në lidhje me këtë paketë e cila aktualisht është nën shqyrtimin e Komisionit të Venecias.

David Sassoli: Tani do të shikojmë se si do të shkojë debati në Kuvend, si do të zhvillohet procesi i formimit të këtij ligji dhe, sigurisht, ne do të jemi të vëmendshëm edhe të këshillojmë, për të bërë të mundur që të ketë nisma edhe brenda kuadrit të rregullave themelore. Por jemi duke folur për një proces, le të shikojmë se si Parlamenti do t'i përgjigjet kësaj nisme, se ç'lloj ligji do të formojë Parlamenti. Unë dua të jem shumë i qartë, mendoj se Bashkimi Europian nuk duhet ta humbë asnjëherë vëmendjen ndaj rregullave themelore. Në këtë moment, ka edhe vende të Bashkimit Europian që u janë nënshtruar verifikimeve në lidhje me shtetin e së drejtës, kjo nuk vlen vetëm për shtetet që janë në fazën e anëtarësimit, por vlen madje edhe për vendet anëtare. E pra, unë besoj se kjo vëmendje e bën Bashkimin Europian një shembull unik sot në skenën ndërkombëtare globale. Dhe ne duam ta ruajmë këtë aftësi të Bashkimit Europian për të pasur gjithmonë një vështrim gjithmonë kritik, sepse ne nuk mund të heqim dorë nga vlerat themelore. Dhe besoj se kjo frymë mund të jetë e dobishme edhe për Shqipërinë, për vendet e Ballkanit Perëndimor, për Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që ky proces anëtarësimi të kryhet brenda rregullave themelore dhe, natyrisht, t'u bëjë të mundur këtyre vendeve që të hyjnë dhe të bëhen pjesë e familjes europiane me standarde të përbashkëta. Asnjëherë nuk duhet hequr dorë nga të qenët vigjilent mbi liritë themelore, asnjëherë nuk duhet hequr dorë nga një rol vigjilence mbi legjislacionet kombëtare të vendeve që bëjnë pjesë në Bashkimin Europian. Besoj se kjo është fryma e duhur, fryma që na kanë mësuar themeluesit tanë, të jemi kritikë edhe me veten tonë, na bën ndoshta të jemi edhe pak më të mirë sesa arrijmë të përfaqësohemi në këtë moment. Por, në fund të kësaj dite në Shqipëri, unë duhet të them se kam gjetur shumë besim, gjeta një rini në universitet, shumë të shtyrë drejt idealeve të Europës dhe drejt përkatësisë në Europë dhe ky mendoj se është siguria më e mirë që një vend mund të tregojë. Kur rinia ndihet e lidhur me vlerat e përbashkëta, besoj se për Europën kjo është zgjedhja më e rëndësishme, sepse do të thotë që këto vlera pranohen nga të gjithë. Kartvizita më e bukur dhe pasaporta më e mirë që Shqipëria ka sot janë të rinjtë e saj.

Modifikuar më E mërkurë, 05 February 2020 12:43
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...