Nënkryetarja e LSI Erisa Xhixho me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se një nismë e re ligjore e qeverisë për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, është haptazi iniciativë për të kapur Gjykatën Kushtetuese.
Xhixho thekson se emërimi anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është një e drejtë ekskluzive e presidentit të Republikës.
Postimi i Erisa Xhixhos:
Një nisëm tjetër në shkelje të Kushtetutes…
Ligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 8577, date 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatës kushtetuese”, të ndryshuar“, ka kaluar sot në Komisionin e Ligjeve si një iniciativë që shkel Kushtetutën pasi në nenin 129 të saj përcakton se
“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës“
Kushtetuta është e qartë dhe nuk lë vend për interpretim , apo për zgjidhje të tjera ligjore duke e konsideruar një kompetence ekskluzive të Presidentit të Republikes.
Akti i betimit nuk është thjesht nje akt formal pasi vetëm pas këtij momenti Gjyqtari apo çdo funksionar tjetër që ushtrimin e detyrës e ka te lidhur me momentin solemn të betimit do mund të legjitimohet dhe të fillojë ushtrimin e detyrës së tij. E thënë ndryshe betimi eshte kontrata e punës për personin.
Më e rëndë është dhe fakti qe ky ligj ka fuqi prapavrepuese, pra bëhet vetëm për të bërë gjyqtare Arta Vorpsin dhe aspak për çeshtje parimore , por vetëm për interesa politike që synojnë kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga qeveria.
Padyshim që të gjithë e kuptojmë që qellimi i kësaj maxhorance është dobësimi i Presidentit të Republikës si i vetmi organ legjitim qe i ka dal perballë në mbrojtjen e Kushtetutës dhe vlerave të demokracisë kësaj maxhorance të kriminalizuar. Kjo nuk është hera e parë që kompetencat kushtetuese të Presidentit merren me ligj , duke e kthyer tashme në një praktikë antikushtetuese.
Në një shtet të së drejtës zgjidhja e konflikteve kushtetuese mund e duhet të bëhet vetëm përmes Gjykatës Kushtetuese dhe jo me ligje politike .
Nëse keto nisma kalojnë në Kuvend, atëhere çdo anëtari të Gjykatës Kushtetuese , të Gjykatës së Lartë etj që fillimin e ushtrimit të detyrës së tyre e kanë të lidhur me Betimin , do ta kryejnë betimin në çdo ambjent tjetër qoft shtëpi, lokal, mal apo plazh mjafton që këtë deklaratë ta nënshkruaj e dhe tja dërgojnë institucionit të emërteses.