Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka hyrë në debatin për shëndetësinë e konkretisht kirurgjinë, pasi një mjeke doli kundër deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Në një postim në Facebook, Vasili shprehet se një aradhe koristësh zëçjerrë kanë filluar të këndojnë të njëjtën këngë bajate pasi kryeministri Edi Rama lëshoi mufkën e radhës.
Ndërkohë ai kujton se investimet në kirurgji janë bërë në vite. Sipas Vasilit, mohimi vulgar i të vërtetave është një antivlerë.
Pasi Edi Rama lëshoi mufkën e radhës që “dy katet e kirurgjisë së përgjithshme janë i vetmi investim në 90 vjet” është shfaqur edhe një aradhe koristësh zëçjerrë, që kanë filluar të këndojnë të njëjtën këngë bajate.
Jo për Edi Ramën se është frymë e harxhuar kot, por për ca të tjerë…po ju kujtoj vetëm një fakt: shumë vite më parë Shqipëria investoi në kirurgji dhe filloi Kardiokirurgjinë e drejtuar nga i nderuari Prof.Petrit Gaçe duke u vendosur në një pozicion dinjitoz në raport me vendet e tjera.
Edhe shumë Profesore të shkëlqyer të Kirurgjisë u rritën dhe u lartësuan atje.
Investimi i bërë vazhdimisht sipas kohëve që kanë ndryshuar ka shënuar krijimin e asaj kirurgjie që u rrit në dhjetëra vjet.
Kush paturpësisht këndon këngën se kirurgjia filloi sot, u investua sot dhe lindi sot, vetëm tregon një mediokritet demencial.
Mohimi vulgar i të vërtetave është një antivlerë. Edi Rama do të iki, por turpi i koristeve do të mbetet.