“Politika është pasioni im”, Sali Berisha flet për ditën e tij dhe familjen: Ja kujt i kushtohem më shumë

Saturday, 08 February 2020 18:48

Përveç politikës, situatës aktuale, akuzave e deklaratave për kundërshtarët politikë ish-kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer në emisionin “Kjo Javë” në News24 një pjesë të vogël të jetës së tij. Si e kalon ditën, kush është personi që i kushtohet më shumë apo edhe qytetari dixhital. Berisha tregon se e ka pasion politikën dhe se do jetë aktiv deri sa Zoti t’i japë mundësi.

Si e organizoni ditën z.Berisha?
Dita ime mbyllet në 02:00 të natës, prej dekadash, fillon në 07:00-08:00 të mëngjesit. Leximi është tani që kam kohën, ka hapësirat më të mëdha. Shkruaj, jam njeri që shkruaj ditë për ditë. Si pedagog, kurrë nuk lexoja një leksion të vjetshëm, e shkruaja e përpiqesha ta pasqyroja, edhe këtu unë shkruaj çdo ditë.

Aktiviteti fizik është pjesë e ditës. Bëj çdo ditë 10 mijë hapa, janë të dobishëm, norma është 30 minuta në ditë sforcim me rritje të veprimtarisë së zemrës, të tjerat pastaj për të ruajtur një peshë konstante, unë e pëlqej këtë që të ruaj një peshë konstante. Merrem me fëmijët, nipër mbesa..

Veç zonjës tuaj që kaloni një pjesë të ditës, kush është personi në familje që i përkushtoheni më shumë?
Në familje personi që i përkushtohesh më shumë është më i vogli gjithmonë. Pastaj nuk bëjmë diskriminim por sa më shumë rriten aq më shumë kanë dëshirë të veçohen, nuk pëlqejnë patronalizmat e të tjerat.

Qytetari dixhital, sa kohë i kushtoni?
Më shkruajnë shumë, e përpiqem t’i pasqyroj sa më shumë, që qytetarët të kenë një zë publik. Më vjen keq që nuk i pasqyroj të tëra, zgjedh ato ku qytetarët kanë probleme me pasurinë, siç ishte rasti i ikonave të Edi Ramës, që e akuzon tjetrin për arrestim në Paris se kanë shit ikonat. Çfarë thonë për qeveritarët unë kam prirje t’ia njoftoj publikut. Nuk shtoj asgjë nga vetja ime, bëj deklarata, por çka thonë ata nxjerr ç’thonë ata. Pavarësisht se Edi Rama ka hapur 13 padi ndaj Sali Berishës, por nuk ka një padi ndaj Gjergji Thimios, i cili i thotë më hidh në gjyq jam i gatshëm për ndjekje penale, ke qenë dy herë i arrestuar për shitje ikonash të vjedhura në Paris, ia thotë edhe vitet. E keni dëgjuar Edi Ramën të reagojë ndaj kësaj, sepse e kap ligji i dekriminalizimit, nuk reagon dhe hedh Berishën në gjyq. Pse? Se unë botoj një shkrim të ‘BalkanËeb’ apo të ndonjë portali tjetër ku i them lexuesve lexojeni..

Vitet kalojnë ju mbeteni shumë aktiv në politikë, edhe për sa gjatë e mendoni veten kaq aktiv?
E vetmja gjë që nuk e kam në dorë, e ka Ai që është sipër. Sa të më japë Ai mundësi unë… politika është pasioni im, por varet prej tij dhe unë i zbatoj me rigorozitet urdhrat e tij.

Login to post comments