Ish-deputeti dhe diplomati i shquar shqiptar Bashkim Zeneli thotë se priste një qëndrim të ri për bashkëpunimin mes Kosovës e Shqipërisë nga dy kryeministrat por më shumë nga Albin Kurti. Duke komentuar politikën e jashtme të Shqipërisë dhe marrëdhëniet me Kosovën në kuadër të vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ish-ambasadori Zeneli tha në rubrikën “Opinion” në News24 se duhet të ketë më pak show dhe më shumë vendimmarrje që popujt tanë të shohin se gjërat po ecin mirë.
“Prisja ndonjë qëndrim të ri si do bashkëpunohet me qeverinë Kurti mbi bazën e prioriteteve që ka, të ndryshimeve që ai do t’i artikulojë. prisja nga Kurti në kuptimin që ai është kryeministër i ri dhe ka përcaktuar disa objektiva në mandatin e tij.
Kemi më pak nevojë për show, kemi më pak nevojë për anën e jashtme. Kjo vizitë nuk është protokollare por vëllazërore. Duhet të ketë më pak show, më shumë vendimmarrje, më shumë bindje në dy vende t se po ecin më mirë gjërat. Kemi parë dhe tone acaruese mes liderëve të Kosovës e Shqipërisë, një lloj gatishmërie për t’iu përgjigjur njëri-tjetrit edhe për gjëra që mund të zgjidhen me një kafe apo telefon. Mes Kosovës dhe Shqipërisë këto duhet të jenë të kapërcyera njëherë e mirë për një mijë e një arsye”, u shpreh Zeneli.
Sa iu përket qëndrimeve të dy kryeministrave, diplomati u shpreh se duhet një marrëveshje paraprake dhe të mos ketë përplasje në publik.
“Unë mendoj se gjërat më mirë duhet të ishin diskutuar më parë. Të kishin një marrëveshje se sa t’i shesin në treg këto mospërputhje mendimesh. Ka një protagonizëm të panevojshëm”, deklaroi Zeneli duke theksuar se marrëdhëniet me Serbinë duhet të jenë të shëndetshme.
Ai tha se duhet një bashkëpunim i qartë mes vendeve të rajonit. “Jam dakord për bashkëpunim por me këto terma minisheng apo makro shengen…duhet bashkëpunim i qartë. Nuk jam dhe me atë që ky minisheng po nxit krijimin e Jugosllavisë së Re. Bashkëpunimi mundësisht të jetë i gjithanshëm, i plotë dhe i qartë”, u shpreh Zeneli.
Nga ana tjetër ai e sheh të vështirë uljen dhe dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“Bashkëpunimi i Kosovës me Serbinë në këto raporte që janë, me këtë frymë që janë, do jetë goxha i vështirë, duhet guxim politik duhet të hidhen pas krahëve shumë gjëra që të arrish të bashkëpunosh.
Nuk mundet po të heq taksën e më njih. Nuk të njeh Serbia sot për sot, nuk të njohin shtetet e BE-së. Kurti në radhë të parë duhet të harmonizojë qëndrimet brenda vendit”, tha Zeneli.