100 vjet u mbushën këto ditë nga vendosja e kufirit gjermano-danez, që shihet si model për zgjidhjen e konflikteve të kufijve e pakicave që jetojnë aty. Pse pati sukses ky model dhe a mund të vlejë ai edhe për Ballkanin?
Deutsche Welle: T'i vendosësh kufijtë me referendum - si erdhën zhvillimet deri këtu dhe si u vendos vija e demarkacionit, që sot krijon kufirin mes Danimarkës dhe Gjermanisë?
Prof. Stefan Troebst: Në Konferencën e Parisit, 1919/1920 që pasoi Luftën e Parë Botërore, fuqitë fituese i dhanë një rëndësi të veçantë parimit etnik. Ai merrte në konsideratë referendumet popullore. Kështu parashikohej edhe në Marrëveshjen e Paqes së Versajës me Gjermaninë e mundur në vitin 1919 në disa rajone të përziera enike kufitare po kështu edhe për Belgjikën, Francën, Poloninë dhe Danimarkën, e në ish-principatën e Schleswig, pra plebishite për të ardhmen e përkatësisë shtetërore. Në vitin 1920 shumica e popullsisë me të drejtë vote në Schleswigun e jugut vendosën për perandorinë gjermane, veriu për Mbretërinë e Danimarkës. Kufiri i ri shtetëror u vendos përgjatë zonave të votimit I (Schleswigu verior) dhe II (Schleswigu i mesëm). Përjashtim përbënte këtu pjesa veriore e qarkut Tondern, në gjuhën daneze Tønder që vendosi për Danimarkën.
Çfarë parametrash e kthyen megjithatë në model vendosjen e kufirit gjermano-danez?
Fillimisht asnjë, sepse përgjatë gjithë kohës mes luftërave botërore u zhvillua një luftë e ashtuquajtur kufitare e ashpër mes Gjermanisë dhe Danimarkës, që çoi në tensione të mëdha etnopolitike mes shumicës dhe pakicës në të dyja anët e kufirit të ri. Pushtimi i Danimarkës nga trupat gjermane në vitin 1940 e keqësoi edhe më tej marrëdhënien ndëretnike. Këtu nuk ndryshoi gjë as krijimi i landit Schleswig-Holstein në vitin 1946. Vetëm Deklarata e Kielit në vitin e themelimit të Republikës Federale 1949, në të cilën si danezëve dhe frizonëve në pjesën e Landit Schleswig iu siguruan të drejtat bazë, e përmirësoi situatën e tyre ligjore në mënyrë graduale. Pikë kthese në marrëdhëniet bilaterale e në marrëdhënien mes shumicës e pakicës në të dyja anët e kufirit u bënë Deklaratat e Bonn-Kopenhagenit të vitit 1950 para hyrjes së gjermanëve në NATO, të cilat përmirësuan si statusin ligjor të danezëve dhe frizonëve në pjesën Schleswig të landit më verior gjerman edhe të gjermanëve në pjesën daneze të Schleswigut verior.
Si pasojë Gjermania pati mundësinë që të mbështeste financiarisht pakicën gjermane në Danimarkë, që pasoi nga ana e Danimarkës me mbështetjen e pakicës daneze për shkollimin, kulturën, mediat e shoqërinë për këtë pakicë. Më vonë qeveritë në Kopenhagë dhe Bonn ndërmorën përpjekje në nivel europian që marrëdhëniet e rirregulluara në zonën kufitare gjermano-daneze t'i paraqesnin si model që mund të shërbente edhe për zgjidhjen e konflikteve të tjera kufitare apo të pakicave.
Jo rastësisht Gjermania dhe Danimarka themeluan në vitin 1996 Qendrën Europiane të Çështjeve të Minoriteteve (ECMI) në Flensburg, aktiviteti shkencor dhe praktik për parandalimin e konflikteve i së cilës është i orientuar sidomos në Europën Juglindore dhe hapësirën postsovjetike dhe Kaukazin.
Çfarë mësimesh janë nxjerrë nga politika e referendumeve për vendosjen e kufijve?
Mësimi është që në zonat kufitare me pakica në konflikt, tensionet mund të ulen, nëse këtë e mundësojnë konstelacione politike me rang më të lartë. Sepse anëtarësimi i Republikës Federale në NATO varej nga miratimi i Danimarkës, anëtare themeluese e aleancës. Përtej kësaj si shembull është edhe afrimi gjermano-francez që në vazhdën e zhvillimit të tij solli edhe zgjidhjen e problemit të landit Saar në vitin 1955, apo marrëveshjet e kushtëzuara nga viti epokal 1989 të Gjermanisë së bashkuar apo edhe si me Poloninë dhe Çekosllovakinë në vitet 1990 e 1992. Edhe shkëputja e Jugosllavisë nga blloku lindor mund të përmendet e mundësuar me zgjidhjen politike të çështjes së Triestes në marrëdhënien me Beogradin në Romë, nga ana e së drejtës ndërkombëtare pastaj në vitin 1975.
A mund të përdoret ky parim edhe sot? Edhe në debatin për mundësi të "korrigjimit të kufijve" mes Serbisë dhe Kosovës diskutohet për referendume...
Jo, edhe pse në vështrim të parë mund të kesh disa paralele mes pjesës veriore të banuar me serbë në Kosovë dhe pjesës së banuar me shqiptarë në jugperëndim të Serbisë. Por kaloi gati një shekull nga Lufta Gjermano-Daneze në vitin 1864 deri tek Deklaratat e Bonn-Kopenhagenit, përkundër kësaj regjimi serb i aparteidit në Kosovë bashkë me terrorin e pushtimit dhe pastrimit etnik në Kosovë mori fund vetëm para 21 vjetësh. Në fjordet e Flensburgut nuk ka luftëtarë dhe as viktima civile të atëhershme, ndryshe është në Fushë Kosovë dhe Sumadije.
Por arsyeja më kryesore, pse ky i ashtuquajtur model nuk mund të merret as në drejtim të Ballkanit, dhe as në vend tjetër në botë lidhet edhe me atë se standardi i jetesës së rajonit kufitar gjermano-danez me pakicat e veta ka qenë jashtëzakonisht i lartë në nivel global, madje edhe në nivelin europian. Nëse do mund të eksportohej ky nivel të ardhurash dhe shteti social së bashku me të pretenduarin si "karakter model", atëherë konflikti serbo-kosovar me gjasë mund të zgjidhej në një periudhë prej dy ose tre brezash. Ky është mësimi i vërtetë nga historia e konfliktit të tejkaluar me sukses mes danezëve dhe gjermanëve.
Prof. Dr. Stefan Troebst është historian dhe publicist për çështjet e Europës Juglindore. Ai është profesor në Institutin e Sllavistikës të Universitetit të Leipzigut.