Menjëherë pas mbarimit të takimit të liderëve të opozitës shqiptare me Federika Mogherinin, shefen e diplomacisë europiane, në selinë e Misionit të BE në Tiranë. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, bëri të ditur para medias se i kanë kërkuar zonjës Mogherini të ndërhyjë, "njerëzisht" pranë kryeministrit Edi Rama të lirojë 11 qytetarët kuksianë që protestuan në Rrugën e Kombit.
“Ne i kërkuam zonjës Mogherini dhe ndërhyrjen e saj në mënyrë njerëzore pranë zotit Rama për të liruar 11 kuksianët që mbahen në mënyrë të padrejtë nga Policia shqiptare dhe sistemi i drejtësisë, duke pasur parasysh që vetë Kryeministri Rama kërkoi falje publike në parlament sa i përket pay-toll në Rrugën e Kombit, në zonën më të varfër të shqiptarëve. Ajo që duam të themi dhe ç’ka është më e rëndësishme për ne është që shqiptarët sot kanë nevojë për më shumë besim dhe për ta parë Bashkimin Europian sa më pranë.” tha Kryemadhi.