Dritan Shani, ekspert i ekonomisë, në një intervistë për SYRI TV, ka analizuar se çfarë sfidash e presin Shqipërinë që synon të rindërtojë pas tërmetit, pas donacionit prej mbi 1 miliardë euro që iu dha në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.
I pyetur nga gazetari Ermal Rizaj se kur mund të bëhen konkrete këto para për familjet shqiptare të dëmtuara nga tërmeti, Shano veçoi grantet nga kreditë dhe theksoi nevojën e domosdoshme për transaprencë nga ana e qeverisë shqiptare.
“Unë do të bëj një sakrilegj, - tha Shano, - sepse intelektualit nuk i lejohet të parashikojë… Unë besoj se grantet do të jenë relativisht shpejt dhe se do të materializohen në pranverë, kurse për kreditë mendoj se periudha do të jetë më e gjatë. Ato kanë kushte, duhet të negociohen dhe mendoj se ato nuk do të jenë disponibël deri në fund të këtij viti.
Më konkretët ishin shteti turk dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Nuk kishte asnjë surprizë për shtetin turk, sepse disa orë më mbrapa pas fatkeqësisë së nëntorit, Presidenti Erdogan u shpreh dhe tha se ne do të financojmë ndërtimin e 500 banesave. Do ta bëjmë këtë gjë me Entin turk të banesave, pra, gjithçka do të kryejmë neve vetë.
Këtu, gjëja e parë që të vjen është të thuash një faleminderit shumë të madhe, por menjëhërë ti e kupton se besimi i Erdoganit tek institucionet shqiptare është afër zeros. Diçka e ngjashme ishte me Emiratet e bashkuara Arabe. Këto janë gjëra konkrete që unë nuk kam arsye të besoj se do të vonohen më shumë se mesi i pranverës.
Emiratet thanë se do të financonin 2000 banesa e mendoj se nga fundi i pranverës do të ekzekutohen.
Ai 100-milionshi që dha BE duhet të kalojë në parlament, por duhet të presim kur do ta kalojnë ata në axhendë.
Njerëzve iu është dhënë një shpresë, po duhet të jemi shumë të ndershëm, nuk mund të lodrosh me shpresat e tyre duke krijuar shtëllunga propagande.
Të githë përfaqësuesit që u shprehën, ndonëse jo hapur, theksuan nevojën për transparencë në menaxhimin e këtyre fondeve. Pra, ata kanë dyshimet e veta ndaj një qeverie që është në çdo indeks korrupsioni, hapa mbrapa në mënyrë të përsëritur. Kësaj nuk mund t’i shmangemi.
Pra, ata ishin atje për të dhënë mbështetje për shqiptarët, jo për të vlerësuar kapacitetet e munguara të qeverisë. Se që shteti ra, ne këtë e kuptuam dy orë pas tërmetit.
Këtë na e dha autokolona e vëllezërve kosovarë me shërbim të specializuar për fatkeqësi të tilla, që ne nuk e kishim.
Ama me vjen mirë që qeveria ka arritur të përcaktojë zonat ku do të ndërtohet dhe të krijojë strehë për të dëmtuarit, kjo duhet përshëndetur.
Shifra është impresive, por ama 80% e saj është kredi,. Shqipëria mund të marrë kredi kur të dojë. Nga kjo pikëpamje, e ftoj qeverinë të jetë e kujdesshme dhe të kërkojë vetë monitorim nga opozita, nga institucionet e specializuara sepse shifra është shumë e madhe. Janë 880 milionë milionë dhe unë mendoj se stabiliteti makroekonomik dhe sepse konsolidimi fiskal dhe financiar vendit rrezikohen nga një fluks i pakontrolluar dhe i panegociuar nga qeveria.”