residenti Ilir Meta publikon deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit mbi ndryshimet ligjore për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilës, ky betim nuk mund të bëhet në formë të shkruar, për shkak se betimi në vetvete si një akt i lartë solemniteti që parashikohet në Kushtetutë, që kërkon prezencën fizike të personit që betohet
Në dokument thuhet se për sa kohë edhe vetë Presidenti i Republikës, betohet para Parlamentit, akti i betimit është i një rëndësie të veçantë dhe kusht për fillimin e detyrës.
“Në këtë kontekst, akti i betimit nuk mund të jetë krejtësisht formal”, thuhet në konkluzionet e KSHH-së.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Edhe njëherë më lejoni të ndaj me ju, konkluzionet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që çmontojnë ligjin anti-kushtetues të KRYEKÇK-së.
DISA NGA KONKLUZIONET E KOMITETIT SHQIPTAR TË HELSINKIT
“Gjithashtu, duke pasur në konsideratë faktin se të dyja këto nisma prekin dy ligje të rëndësishme që janë hartuar/ndryshuar në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, KSHH do të sugjeronte që këto projektligje t’i nënshtroheshin një konsultimi të plotë e të gjithanshëm me institucione si Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, me shoqatat e gjyqtarëve, ekspertë të së drejtës kushtetuese, etj.”
“Lidhur me këtë propozim, KSHH vlerëson se ceremonia e betimit, që zhvillohet pranë Presidentit nuk mund të realizohet në formë të shkruar, pasi betimi në vetvete si një akt i lartë solemniteti që parashikohet në Kushtetutë, që kërkon prezencën fizike të personit që betohet se do të respektojë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, përpara Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu sikurse dihet atributet që Kushtetuta i ka caktuar një organi, nuk mund t’i jepen një organi tjetër.”
“Ndaj, akti i betimit duhet bërë vetëm para këtij institucioni. Forma shkresore që parashikohet me ndryshimet e propozuara, në vlerësimin tonë, përveç se nuk është tipike për aktet ceremoniale të betimit të realizuara me funksionarët e nivelit të lartë në këto 2-3 dekadat e fundit, shmang një kompetencë ekskluzive që Kushtetuta ia ka akorduar Presidentit të Republikës së Shqipërisë.”
“Kushtetuta e vendit tonë e parashikon aktin e betimit për një sërë funksionarësh të lartë publikë, në të tria degët e pushteteve. Madje akti i betimit parashikohet edhe për vetë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, i cili përpara se të fillojë detyrën duhet ta bëjë betimin para Kuvendit.
“Pra akti i betimit para institucionit të parashikuar në Kushtetutë merr një rëndësi të veçantë dhe Kushtetuta e konsideron këtë akt si një kusht për fillimin e detyrës. Në këtë kontekst, akti i betimit nuk mund të jetë krejtësisht formal. Gjithashtu duhet të kemi në konsideratë që Presidenti i Republikës mund të refuzojë të organizojë ceremoninë e betimit, sepse ai e konsideron zgjedhjen, ose emërimin e tij jo në përputhje me Kushtetutën (ose për shkaqe të tjera).”
“Vetë Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj, ka theksuar rolin e rëndësishëm të Presidentit të Republikës së Shqipërisë si atë të arbitrit, të moderatorit të pushteteve e të rregullatorit, si një figurë neutrale, me një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizave, në balancimin e pushteteve, si dhe në kryerjen e funksioneve të tyre respektive”.