PD: 260 mln dollarë i mungojnë buxhetit..

Premte, 21 February 2020 10:25

“Dështimi i Edi Ramës me ekonominë është spektakolar. Buxhetit i mungojnë 260 milionë dollarë për shkak të korrupsionit, kontrabandës dhe rënis së konsumit, por treguesi i vetëm me rritje është luksi i qeverisë së Edi Ramës.”

Kështu deklaroi sot Partia Demokratike nëpërmjet Dorjan Telitit.

“Edi Rama i genjeu dhe i mashtroi shqiptarët, kur erdhi në pushtet, - theksoi Teliti, - duke u premtuar mirëqenie dhe një jetë më të mirë. 7 vjet më pas, shqiptarët janë më keq, ndërsa Edi Rama jeton në luks, duke u pajisur edhe me një avion privat".

 

DEKLARATA

"Dështimi i Edi Ramës me ekonominë është spektakolar. Me vendosjen e buxhetit të shtetit dhe pasurive të shqiptarëve në funksionin të pasurimit të vet dhe të një grushti oligarkësh, Edi Rama ka vazhduar ta rrënojë çdo vit ekonominë e familjeve shqiptare.

Me 260 milionë dollarë që i mungojnë arkës së shtetit për vitin 2019, kryeministri i votave të vjedhura është rekordmen i korrupsionit dhe paaftësisë.

Të kërkosh nga njëra anë ndihmë financiare nga donatorët ndërkombëtarë për demet e tërmetit dhe, nga ana tjetër, t’i shkaktosh vendit një tërmet korrupsioni me 260 milionë dollarë të munguar në buxhet, do të thotë tallje me shqiptarët dhe me vendet mike.

Analiza e të dhënave të sapopublikuara tregon për një gjendje alarmante të korrupsionit, kontrabandës dhe varfërisë. Nga 260 milionë dollarë, 190 mungojnë vetem nga doganat dhe tatimet.

Por Edi Rama është një dështim katastrofik edhe me treguesin kryesor të ekonomisë, tvsh-në. Çdo gjë flet për krizë konsumi, krizë ekonomike, korrupsion, evazion dhe paaftësi në qeverisje.

Paratë nuk vijnë në arkën e shtetit dhe pasojat janë të qarta. Nuk ka rritje pagash dhe pensionesh, shtresat në nevojë vazhdojnë të jenë të braktisura, investime ka gjithmonë e më pak. Investimet 2019 ishin edhe më keq se viti paraardhës.

Janë 34 milionë dollarë më pak investime në rrugë, në shkolla, në spitale, në bujqësi. Luksi qeveritar është i vetmi tregues me rritje në qeverine e Edi Ramës, të kalbëzuar nga korrupsioni.

Për zyra luksoze, hotele të shtrenjta, udhëtime me avionë privatë, fasada luksi janë shpenzuar rreth 20 milionë dollarë më shumë se një vit më parë, duke e shndërruar qeverinë e korruptuar të Ramës në simbolin e kap ça t’kapësh.

Shqipëria nuk e meriton këtë plaçkitje në grahmat e fundit të ketij pushteti të vjedhur e të korruptuar.

Shqiptarët meritojnë të kenë një jetë më të mirë, të sigurojnë mirëqenie dhe siguri për fëmijët. Me votën e lirë dhe zgjedhjet e lira e te ndershme do të mundësojmë shumë shpejt ndryshimin për të cilin vendi, ekonomia dhe çdo qytetar ka nevojë.

Me taksa te ulëta, me procedura te thjeshtuara dhe pa kontrollet abuzive gjobëvënëse, me luftë të hapur ndaj evazionit dhe çdokujt që abuzon me paratë e taksapaguesve të ndershëm, me mbështetje të duhur financiare ndaj sektorëve prioritarë, do të zhvillojmë ekonominë dhe do të sigurojmë mirëqenie për shqiptarët.”

Modifikuar më Premte, 21 February 2020 12:05
Login to post comments