Emiljando Kita, një prej studentëve, të cilët një ditë më parë u përfshinë në një incident me kryeministrin Edi Rama, tregon për Ora News së çfarë ndodhi në sallën e ceremonisë së diplomimit të studentëve të Mjekësisë.
Sipas tij, studentët nuk ishin në dijeni që Rama do të ishte i pranishëm. Ai tha se ardhja e tij ishte një tallje e madhe.
"Kemi qenë dy aktiviste të Lëvizjes për Universitetin, që thamë disa të vërteta aty që Edi Rama po tallej me gjithë studentët e mjekësisë, të cilët nuk e dinin që do të vinte Edi Rama. Pjesëmarrja e Ramës në një sallë diplomimi është një tallje e madhe. Studentët e mjekësisë, në momentin që diplomohen, duhet të largohen jashtë shtetit sepse shteti jonë nuk ka çfarë t'i ofrojë".
Sipas studentit Kita, sot universiteti është luks. Ai u shpreh se Pakti për Universitetin është një tallje.
"Sot universiteti është bërë për të pasurit. Ka mijëra maturantë që nuk vijnë në universitet sepse nuk kanë të ardhura. Sot universiteti është luks. Ligji për arsimin e lartë është një ligj klientelist, i projektuar nga pronarët e universiteteve private. Përmes ligjit për arsimin e lartë financohen universitetet private. Tarifat janë bërë të papërballueshme, ne na është pamundësuar demokracia në universitet, nuk kemi autonomi universitare. Pesha studentore prej 10% është e papërfillshme dhe ky ligj e ka shkatërruar arsimin e lartë. Pakti për Universitetin ishte tallje për ne".