Hije korrupsioni/ PD: 3 pyetje për Belinda Ballukun për koncesionin Thumanë-Kashar

Premte, 21 February 2020 18:00

Departamenti Anti-Korrupsion në Partinë Demokratike i drejton tre pyetje publike ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku lidhur me koncensionin e aksit Thumanë-Kashar-Lekaj. Sipas selisë blu, koncesioni ishte korruptiv dhe Partia Demokratike dokumentoi sesi ishte dyfishuar vlera reale e ndërtimit të rrugës dhe ishte zgjedhur drejtpërdrejtë oligarku, mik i Kryeministrit.

Deklaratë e Departamentit Antikorrupsion të PD

Qeveria ka anuluar kontratën koncesionare me PPP për ndërtimin e segmentit Thumanë - Kashar – Lekaj. 
 
Anulimi i një koncesioni korruptiv është një lajm i mirë për qytetarët. Mirëpo, nuk mund të jetë lajm i mirë, nëse anulimi nuk është bërë për të luftuar aktin e parë korruptiv, por për qëllime të tjera më madhore korruptive.
 
Ministria e Infrastrukturës pritet që shumë shpejtë të hapë “garë” për ndërtim me koncesion të tipit BOT, për këtë aks rrugorë, që nënkupton ndërtimin e rrugës nga kapitali privat, dhe më pas kompania përfiton fondet nga taksimi i aksit për një periudhë së paku 30 vjeçare. [https://www.monitor.al/qeveria-heq-dore-nga-ppp-per-thumane-kashar-lekaj-do-te-ndertohet-nga-privati-kundrejt-tarifes/]
 
Pyetjet që duhet të marrin përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës janë:
 
1.   A është paracaktuar si fituese e kësaj procedure fiktive kompania “TERNA” dhe a ka kontakte personale Ministrja Belinda Balluku me këtë kompani?
2.   A është urdhëruar Komisioni që të hartojë kriteret dhe dokumentat e tenderit, duke ja përshtatur ato klientit të paracaktuar dhe me të cilin ka arritur pazarin e rradhës?
3.   A janë duke u hartuar propozimi teknik dhe financiar, si dhe kriteret e tenderit, sipas kushteve që i plotëson vetëm një kompani, duke eleminuar në këtë mënyrë konkurencën e lirë, që është parakusht ligjor për çdo prokurim publik?
 
Eleminimi i garës dhe paracaktimi i fituesve të çdo tenderi publik, janë arsyet pse Shqipëria ka bërë hapa të mëdha pas në luftën ndaj korrupsionit dhe pse korrupsioni është bërë pengesa kyçe për integrimin europian të Shqipërisë!

Login to post comments