Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj nuk dha shpjegim për akuzat që po i bëhen nga presidenca shqiptare. Por në një raportim, Zëri i Amerikës shpjegon me thjeshtësi dy shkelje flagrante të bëra nga Gjonaj, në përpjekje për të zyrtarizuar në mënyrë të paligjshme Arta Vorpsin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Gjonaj ka kërkuar botimin në Fletore Zyrtare të pikëzimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për Arta Vorpsin, duke bërë dy shkelje: E para, ky nuk është një akt që botohet në Fletore Zyrtare. E dyta nuk është miratuar nga ministria e Gjonajt. Lexoni më poshtë raportimin e VOA
Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta akuzoi të enjten ministrinë e Drejtësisë se ka vepruar në shkelje të ligjit duke urdhëruar botimin ne Fletoren Zyrtare të vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim zyrtarizimin në mënyrë të paligjshme të zonjës Arta Vorpsi si anëtare e kësaj gjykate.
Zoti Bledar Dervishi, këshilltar juridik i presidentit, bëri publik një letër-këmbim mes Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, parlamentit, ministrisë së Drejtësisë dhe Qendrës së Botimeve zyrtare. Duke iu përgjigjur një kërkese për informacion nga ana e kryetarit të parlamentit për ecurinë e procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, më 8 nëntor 2019, kryetari i KED-së, Ardian Dvorani, shkruan se duke qenë se presidenti Ilir Meta nuk ka shfrytëzuar afatin 30-ditor për përzgjedhjen e një prej kandidatëve të listës dërguar nga KED, kandidatja Arta Vorpsi konsiderohet e shpallur anëtare e Gjykatës Kushtetuese. “Me këtë shkresë zoti Ardian Dvorani ka konfirmuar faktin se ka shpërdoruar detyrën”, deklaroi zoti Dervishi.
Pas përgjigjes nga ana e zotit Dvorani, sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit, më datë 9 nëntor, i drejtohet ministrisë së Drejtësisë duke i përcjellë letrën e zotit Dvorani. Brenda së njëjtës ditë, Ministria ja përcjell për botim Qendrës së botimeve zyrtare (QBZ) vendimin e marrë nga KED në shtator, për vlerësimin dhe pikësimin e kandidatëve. Zoti Dervishi vuri në dukje faktin se “Neni 232 i ligjit “Për organet e qeverisjes në sistemin e Drejtësisë, përcakton në pikën 2 të tij se “Të gjitha aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes për secilin kandidat, të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëhen publike në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Lartë”. Në fakt ky akt është botuar që në shtator në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë.
Duke iu referuar Ligjit “Për organizimn dhe funksionimin e Qendrës së botimeve zyrtare”, zoti Dervishi shpjegoi se aktet që përcillen për botim janë të përcaktuara një një nen të posaçëm dhe vendimet e KED nuk përfshihen në asnjë prej kategorive. Po ashtu Neni 8 i këtij ligji përcakton se “1. Aktet e botueshme, të parashikuara në nenin 6, të këtij ligji, publikohen në Fletoren Zyrtare, vetëm atëherë kur versioni përfundimtar në origjinal i aktit është nënshkruar nga organi që e ka nxjerrë atë dhe me kërkesën e tij. 2. Teksti i akteve të botueshme në Fletoren Zyrtare i dërgohet Qendrës së Botimeve Zyrtare në formatin e shkruar në letër dhe në formatin elektronik nga institucionet shtetërore përkatëse që kanë miratuar aktin”.
Në këto rrethana duket tërësisht e pavend kërkesa e ministrisë së Drejtësisë për botimin në Fletoren Zyrtare të një akti që, së pari nuk hyn në kategorinë e atyre që botohen në këtë fletore dhe së dyti që nuk është miratuar nga Ministria, e cila bën kërkesën për botim.
Këshlltari juridik i presidentit Meta, vuri në dukje dhe një element tjetër. Letra e parlamentit drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, është protokolluar prej kësaj të fundit me numrin 7576, ndërkohë që kërkesa po e Ministrisë drejtuar Qendrës së Botimeve zyrtare mban numrin e protokollit 7575. “Nga kjo provë rezulton se mnistria e rejtësisë e ka përcjellë për botim aktin pa marrë ende një njoftim ngaparlamenti. Dhe letra e parlamentit ka ardhur vetëm në mbëhstetje të veprimit antiligjor të ministrisë së Drejtësisë. Ky është një falsifikim. Kështu që për të gjitha këto fakte, strukturat e presidencës së Republikës, po përgatisin kallzimin penal, drejtuar Prokurorisë speciale e cila duhet të thërrasë të gjithë përsonat e përfshirë”, deklaroi zoti Dervishi.