Rrëfimi rrëqethës i Edita Tahirit: Nënën e kisha nga Shqipëria, u mbyll kufiri një vit pasi u martua dhe kurrë më se pa familjen e saj

Diel, 23 February 2020 11:59

E njohur si një grua shumë e fortë, e cila ka pas mbi supe edhe pozita shtetërore, si asnjëherë më parë ndanë dhimbjen e familjes së saj me lexuesit e KultPlus.  Edita Tahiri, duke qenë vajzë e një gruaje nga Shqipëria, përgjatë jetës së saj ka bartur shumë mall e dhimbje. Ajo ka kujtuar të gjitha momentet e asaj kohe, prej periudhës kur është martuar nëna e saj nga Kukësi në Prizren, e deri te vdekja e saj. Ajo mbylli sytë përgjithmonë pa parë asnjë familjar të saj, në një periudhë 50 vjeçare. Edita Tahiri tregon edhe për përpjekjen e familjes së saj që të shihnin dajallarët në kufirin mes ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë, dhe për pasojat e atij takimi. Kjo intervistë përpos që ngërthen emocionin e një familje, ngërthen edhe rrethanat e asaj kohe, që për e ditët sotme duken të paimagjinueshme.  

safe_image

Gjatë luftës së Dytë Botërore, dy burra, njëri nga Prizreni dhe tjetri nga Kukësi linin kokën për njëri tjetrin. Miqësia e tyre ishte shumë e sinqertë, dhe që të dy, për të mos shkëputur miqësinë me njëri tjetrin propozuan që të iniciojnë një martesë me të rinjtë e të dy familjeve.

Fadilja nga familja Elezi, u propozua që të jetë nuse e ardhshme e familjes Tahiri në Prizren, e cila në vitin 1943 la familjen e saj në Kukës për të vazhduar jetën e saj në Prizren.

Dhe në shikim të parë u duk se ishte bërë një vendim i duhur, por vetëm një vit pas martesës së Fadiles, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë u mbyll, por përderisa kufiri mbyllej, plagët në zemrën e Fadiles hapeshin, mundësia për të parë familjen e saj kishte mbetur vetëm në ëndrra, mall dhe lutje.

Dhe pikërisht kjo grua me emrin Fadile që vuajti për familjen e saj matanë kufirit, ishte nëna e Edita Tahirit, e cila kujton me detaje jetën e nënës së saj, larg familjes.

dita1

Nëna ime vdiq pa e parë asnjë nga familja e saj

“Pas martesës së nënës sime, vetëm një vit ishte kufiri i hapur, kurse në vitin 1944 u mbyll, nëna ime vdiq pa e parë asnjë nga familja e saj”, kujton Tahiri jetën e nënës së saj, por jo vetëm të nënës, pasi që malli i saj dalëngadalë po shtresohej edhe në pesë fëmijët e saj, të cilëve, dita ditës, Shqipëria po u idealizohej në shpirtrat e tyre.

“Nëna ime ka ëndërruar për Shqipërinë, ka vajtuar dhe ka pas mall. As ne, por as dajallarët nuk patën mundësi të vinin. Jetonim me mall e me ëndrra”, tregon Tahiri për KultPlus, e cila, përderisa kthen kohën prapa, shpalosë jetën e nënës së saj.

dita7

Por Fadilja kishte krijuar një rreth të saj në qytetin e Prizrenit, nuk ishte e vetmja grua nga Shqipëria që ishte martuar në Kosovë, dhe të njëjtat, për të hequr mallin e familjeve të tyre, ato kishin krijuar një lidhje të ngushtë me njëra tjetrën, sikur të ishin të një familje. “Mbaj mend që të gjitha këto gra i kemi thirr teze, i dinim për teze, sepse e shihnim afërsinë e nënës me këto zonja”, tregon Edita.

Dhe vitet shkonin një nga një, dhe malli i nënës së Edita Tahirit nuk shuhej, ajo përgjatë viteve, kontaktin e vetëm me familjen e mbante me letra të rralla, me ndonjë telefonatë poashtu të rrallë, por telefonata e rregullt ishte ajo e datëlindjes së saj.

dita8

Nëna ime e kishte datëlindjen më 14 mars, për çdo datëlindje merrnim telefonatë nga dajallarët

“Nëna ime kishte lindur më 14 mars, datë që shënohet në Shqipëri si dita e verës, dhe gjithmonë për datëlindjen e saj, fillimisht merrnim një telegram që na njoftonte për kohën e saktë se kur do ta prisnim telefonatën, dhe në atë mënyrë nëna ime merrte urimet e datëlindjes prej matanë kufirit, që shkonte e bëhej gjithnjë më i rëndë”, tregon Tahiri për emocionet e asaj kohe.

dita17

“Nëna ime shkruante vet, shpesh herë kemi gjetë letrat e saj mbi tavolinë, që i niste ti shkruante, por si duket prej mërzisë, i ngelnin mbi tavolinë për disa ditë, ka ndodhë shpesh që ato letra i kam vazhduar dhe përfunduar unë”, thotë Edita Tahiri e cila shpjegon se ato letra që shkëmbeheshin kanë pas kode, ku të rriturit i deshifronin, kurse ne fëmijët i lexonim si letra të zakonshme.  “Vetëm mbaj mend që ato letra ishin të jashtëzakonshme, kishin një stil të shkrimit, kishin ngrohtësi, nuk di se si u kanë tingëlluar letrat tona dajallarëve të mi, por letrat e tyre na kanë lënë shumë mbresa”, shpjegon detajet e komunikimit Edita Tahiri.

dita12

Babain ma burgosën për patriotizëm, nëna ime për pesë vite humbi koloritin

Edita tregonte për familjen e saj që kishte një mall të madh brenda kulmit, por sikur nuk u mjaftonte vetëm kjo ndarje, familja Tahiri kishte edhe një problem tjetër për kohën në të cilën jetonin. Babai i saj, i shquar për patriotizëm dhe kundërshtar i pushtetit të atëhershëm kishte bërë që familja e saj më shumë të identifikohej si familje patriotike, se sa për faktin që kishin nënën nga Shqipëria.

dita11

“Babai u arrestua dhe mbajti një dënim të gjatë në burg, për pesë vite nuk e kemi parë. Mbaj në mend se kur nëna na përcillte për në shkollë, na porosite gjithmonë të jemi krenarë për babanë, nuk arrinim të kuptonim shumë nga fjalët e saj, vetëm e dinim se shumë insistonte që mos ta ulnim kokën, se babai jonë po vuante dënim për punë të mira dhe jo për punë të liga”, tregon Edita.

Dhe përderisa kishin mbet pa kryefamiljarin e shtëpisë, Fadilja me pesë fëmijë po përballej vet me situatën. Si një grua elegante, mban mend Edita që në trupin e saj ishte ndërruar ngjyra e veshjes, dhe për ato pesë vjet, ajo ishte veshur vetëm me rrobe me ngjyrë të mbylltë.

dita18

Po koloriti ishte zhdukur edhe në raport me familjarët, gjyshi i Editës, për të mbrojtur fëmijët e tjerë nga sistemi i atëhershëm, ishte distancuar nga familja e Editës, si familje e shënjuar për patriotizëm, në mënyrë që ti shpëtonte djemtë e tjerë.

“Kjo krijoi një pakënaqësi te ne fëmijët, edhe pse nëna jonë nuk na ushqente me atë frymë, po ne e ndjemë atë largësi, dhe jo vetëm gjyshi, po shumica e familjeve nuk na e hapën derën, ishin katër ose pesë familje që nuk hoqën dorë prej neve në atë kohë”, rrëfen Edita, e cila më pas kujton lirimin e babait të saj nga burgu, dhe me ardhjen e tij u kthye edhe koloriti në zemrat dhe në veshjen e nënës, ku sipas Edita Tahirit, jo më kot nëna e saj kishte lindur më 14 mars, sepse ajo dinte të sillte pranverë në zemrat e tyre.

Nëna ime shoqërohej me gratë e pakta nga Shqipëria, të cilat kishin fatin e njëjtë me nënën time

Dhe kjo ishte Fadilja, gruaja që nuk shihte familjen e saj, rriste fëmijët e saj me një përkujdesje shumë të madhe, punonte në Prizren dhe shoqërohej me gratë e pakta të Shqipërisë, që kishin fatin e njëjtë me Fadilen.

Edhe pse kishin kaluar afro 40 vjet prej kohës kur ishte martuar Fadilja në Prizren, dhe që nuk kishte parë njeri të gjallë nga familja e saj, lëvizjet mes Kosovës dhe Shqipërisë kishin nisë të merrnin frymë, por familjes nga Prizreni dhe asaj nga Kukësi nuk i jepej një leje e tillë, familja e Prizrenit ishte e papërshtatshme për shkak se kryefamiljarin kishin atdhetarë, kurse ajo nga Kukësi njësoj vepronte kundër regjimit të Enver Hoxhës.

Dhe përderisa merrnin vesh se ky bëri një vizitë andej e këtej kufirit, këto familje vazhdonin të qëndronin të ndara.

dita3

Në vitin 1980 mora ftesë të vizitoja Shqipërinë si studente, ishte një lajm i madh për familjen tonë

Por dielli shkëlqeu një mëngjes edhe në familjen Tahiri, njërit prej fëmijëve të familjes Tahiri dukej se po i binte një përgjegjësi e madhe. Edita Tahiri ishte vajza që do të lidhte këto ura këndej e andej kufirit, pasi që në vitin 1980, asaj i ishte dhënë mundësia të shkonte bashkë me studentët  e Fakultetit Teknik në Shqipëri, që kishin për qëllim një vizitë në Shqipëri.

Ato ditë, në familjen Tahiri ishte një mpirje e vërtetë. Gëzimi, shqetësimi, emocioni i madh kishte mbërthyer këtë familje, që për herë të parë po dërgonte një anëtar në familjen e dajallarëve.

Edita Tahiri kujton nënën e saj përgjatë atyre ditëve, dhe e përshkruan si një grua shumë të gëzuar, e cila vazhdimisht përgatiste shumë dhurata që nëpërmjet Editës ti dërgonte te familja e saj. Po, përpos dhuratave, Fadilja asnjë fjalë nuk ia tha Editës që të ishte në një formë edhe porosia e saj për familjen në Kukës. “Ndoshta dëshironte të më kursente edhe nga kjo përgjegjësi”, kujton Edita Tahiri atë periudhë, që tregon se ishte një ndjesi e përzier, edhe e gëzuar edhe e shqetësuar, sepse po takonte për herë të parë familjen e nënës së saj, por në të njëjtën kohë po përfaqësonte edhe familjen Tahiri.

“Në vitin 1980 kam shkuar në Shqipëri me studentë të Fakultetit Teknik, isha e para që do të takoja familjen e nënës, një përgjegjësi e madhe për mua, shqetësim e gëzim në të njëjtën kohë”, kujton Tahiri, e cila shpjegon se para se të nisej për Shqipëri, nëna e saj e kishte shndërruar shtëpinë e saj në Prizren në një hapësirë të dhuratave, pasi që mundohej secilit ti dërgonte diçka nëpërmjet vajzës së saj.

Një familje e huaj në shikim të parë, por familje gjaku në anën tjetër. Emocionet e atij viti, Tahiri thotë se e kanë përcjellë për tërë jetën dhe se nuk do ti harrojë asnjëherë.

dita9

Mbaj mend se në Shqipëri, kishin një nivel të lartë të kulturës

“Mikpritja ishte e jashtëzakonshme, edhe pse me kushte të vështira, mbaj mend se ata kishin një nivel të lartë të kulturës, më la shumë përshtypje ajo mënyra se ngrinin dollitë, ato ritualet e mëngjesit, të tavolinës…, pastaj, diskutimet, diskutimet më lanë shumë përshtypje”, tregon Edita për takimin e saj të parë me dajallarët, por e njëjta shpjegon edhe faktin se bisedat edhe pse ishin të ngrohta, ishin biseda të përgjithshme dhe jo me një temë të rëndësishme.

“Ata nuk guxonin të shpreheshin lirshëm, bisedonin tema të parëndësishme. Mbaj në mend se vetëm rrugës për në hotel , dajtë më tregonin si fshehtas për jetën e vështirë që e bënin”, kujton Edita, duke plotësuar se dajtë e saj kishin hequr shumë edhe për faktin se ishin kundërshtues të sistemit të Enver Hoxhës, dhe të njëjtit edhe ishin internuar.

Po kthimi i Edita Tahirit në Prizren, pas asaj vizite në Shqipëri nuk ishte interesant vetëm për familjen Tahiri, mysafirë të shumtë ia kishin mësyrë shtëpisë së kësaj familje, që vinin të dëgjonin ndonjë rrëfim për atë shtet, që pothuajse të gjithë e shihnin si një vend të ëndrrave.

dita10

Kur u ktheva në Kosovë, u tregova Shqipërinë që e ëndërroja, jo atë Shqipëri që pashë më sytë e mi

“Unë u tregova Shqipërinë që e ëndërroja e jo atë Shqipëri që pashë me sytë e mi. Nuk dëshiroja të ju prishja ëndrrat, sepse të gjithë e idealizonin atë vend. Edhe nënës njësoj i thashë, se Shqipëria ishte e bukur, se jetën e kishin në rregull, se ishin të sistemuar dhe shumë gjëra të bukura. Por nëna ime shpesh më bënte pyetje, dhe insistonte të dinte më shumë për familjen e saj. Ajo interesohej se çfarë bënte ajo familje prej mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes. Atëherë, më kujtohet se e pata pyet nëse ishte e sigurt të dëgjonte krejt ato që i kisha parë. Dhe, pas miratimit të saj, u ulëm një ditë, kur ishim vetëm ne dyja, dhe e luta që fillimisht të më premtonte se askujt nuk do ti tregonte, sepse pata vendosë që Shqipëria e syve të mi, të mbetej vetëm në mendjen time.  Pas premtimit të saj,  u rrëfeva, për varfërinë e madhe, për mungesën e shprehjes së lirë, për kushtet e rënda dhe për të gjitha gjërat që kisha parë. Mbaj mend, edhe përkundër faktit se nëna ime njihej për një grua të fortë, pat shpërthyer në lot, dhe u dërmua e tëra. Pas asaj bisede,  e di që nëna u pat lënduar shumë dhe iu desh kohë që të rimëkëmbej. Por di edhe faktin tjetër, se unë u pata shndërruar në personin më të afërt me të, në sytë dhe dashurinë e saj, unë u shndërrova në vajzën e familjes që kisha sjellë lajme për familjen e saj, dhe e ndjeja se më trajtonte në mënyrë më të veçantë”, tregon Tahiri.

Jeta vazhdonte me ritmin e njëjtë, ndarja për këto dy familje vetëm sa bëhej më e rëndë, përderisa familje të tjera bënin vizita të rralla. Dhe pikërisht nga disa që kishin shkuar e kthyer nga Shqipëria, erdhën në familjen Tahiri për t’iu treguar një mundësi takimi.

Në vitin 1984 dolëm te kufiri mes ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë, këndej kufirit ishim rreshtuar ne pesë fëmijët dhe të dy prindërit, kurse andej ishte gjyshja me gjashtë dajallarët

“’Po ka raste që familjet po dalin te kufiri dhe po takohen me njëri tjetrin’, kjo ishte informata që na e dhanë. Ishte viti 1984. Mbaj mend se menjëherë u organizuam dhe njoftuam familjen e dajve për këtë takim, caktuam ditën dhe orën dhe pritnim, deri në ditën e takimit ishte një distancë sa një shekull, nëna ime më në fund do të shihte familjen e saj”, tregon Edita, por përderisa kujton këtë moment, asaj i rrjedhin lotët, duke e kujtuar si një ndër momentet më të vështira të jetës së saj.

“Ai moment na ka copëtuar shpirtin, krejt familja ia mësymë kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, këndej kufirit ishim rreshtuar ne pesë fëmijët dhe të dy prindërit, kurse andej ishte gjyshja me gjashtë dajtë. Distanca ishte e madhe, mund të shihnim njëri tjetrin vetëm figurë, dhe për t’ia dëgjuar zërin njëri tjetrit, mbaj mend se gjyshja e pyeti kufitarin e Shqipërisë se si ishte, dhe ne e kuptuam se atë bisedë na adresonte neve, dhe ne më pas vepruam njësoj dhe pyetëm kufitarët e ish Jugosllavisë, ky ishte komunikimi, ishte e vetmja mundësi të dëgjonim zërat këndej e andej kufirit. Bënim kinse po bisedonim me kufitarët, e në fakt qëllimi ishte që të dëgjonim zërin e njëri tjetrit. Ishte një moment shumë i shkurtë. Ishte  një bisedë më shumë lot se sa bisedë, ky ishte i vetmi rast që nëna ime pa nënën dhe vëllezërit  e saj, ishte shumë tragjike, unë kisha parë nëpër filma, por se kisha menduar se do ta përjetoja edhe vetë një skenë të tillë”, thotë Tahiri, e cila shton se në atë takim distance nuk ishte i pranishëm edhe gjyshi. “Më vonë e kuptuam se ai nuk kishte pas zemër të vinte te kufiri e ta shihte vajzën e tij vetëm prej asaj distance. Ai e kishte dashur shumë nënën time, por e di që edhe nëna ime e ka adhuruar babain e saj”, shpjegon Edita.

Vajza e brishtë e asaj kohe, tashti një grua e rryer edhe në politikë e udhëheqje, kujton se pas atij takimi te kufiri, nëna e saj nuk u përmbajt. Edita Tahiri mendon se ajo periudhë ishte ndoshta periudha më e mërzitur e jetës së saj.

dita4

Edita Tahiri kujton detajin më të trishtë të historisë së nënës së saj, se si me martesën e saj u mbyll kufiri, dhe me vdekjen e saj u hap

“Çdo mëngjes zgjohej me ëndrra, e pash atë, e pash këtë në ëndërr. Ëndërronte sikur nisej për Shqipëri, por që kurrë nuk arrinte, por njëjtë shihte në ëndërr që edhe dajallarët tentonin të vinin këndej, por që asnjëherë as në ëndërr nuk arrinte ti takonte. Ëndrrat e saj ishin vetëm nisje, asnjëherë arritje në destinacion”, tregon Edita Tahiri, dhe kujton detajin më të trishtë të historisë së nënës së saj, se si me martesën e saj u mbyll kufiri, dhe me vdekjen e saj u hap. Fadilja mbylli sytë përgjithmonë në vitin 1989, përderisa babai i Editës kishte vdekur dy vite më herët. Dhe pikërisht në vitin 1990 u hap kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, por Fadilja nuk ishte më ta përjetonte këtë hapje të portave.

Dhe nisë një epokë e re për Editën, si një grua ambicioze, ajo zgjidhet anëtare e kryesisë së LDK-së, por para se të merrte pozitën, duke e pas parasysh se rrugëtimi i saj do të kërkonte shumë angazhim, ajo bëri një kërkesë. “Nuk e nisi punën pa shkuar njëherë në Shqipëri, dua të takoj familjen e nënës sime”, ishte kushti i Edita Tahirit, e cila shkoi dhe qëndroi atje për tre javë. Gjyshen e kishte ende gjallë, përderisa nëna e saj kishte shkuar me mallin e saj.

Në vitin 1990 shkova përsëri në Shqipëri, takova gjyshen, takimi te kufiri e kishte lënë me pasoja

“Qëndrova për tre javë atje, takova gjyshen, dajallarët dhe tezet e mia. Por mbaj në mend që për aq kohë sa qëndrova, gjyshja ime vazhdimisht e mbante dorën në fytyrë. Fillimisht mendova se është punë shprehie, por më pas mu zgjua kureshtja. Pyeta njërin nga dajallarët e mi, se pse gjyshja mban dorën e saj vazhdimisht në fytyrë. ‘Nuk dëshiron të ja shohësh fytyrën, gjysmën e fytyrës e ka të paralizuar. Atë vit që kemi dalë te kufiri, prej dhimbjes së madhe që pa Fadilen, ajo pësoi paralizë në tërë trupin, me kohë, trupi ju lëshua, por gjysma e fytyrës jo’ më tregoi daja, për atë takim kufiri që nënën time kishte rrënuar emocionalisht, kurse gjyshen e kishte gjymtuar edhe në trup”, tregon Edita Tahiri, e cila kujton se gjyshja jetoi edhe tetë vite pas hapjes së kufirit me Kosovës dhe Shqipërisë.

dita2

Krejt këtë mall pesëdhjetëvjeçar, dy familjet e shuan me vajtje ardhjet, deri në normalizim të raporteve, ku Edita Tahiri tregon se tashmë shkojnë e vijnë, sa herë që u jepet mundësia këtyre dy familjeve.

Tashti, kur Edita Tahiri ka punuar shumë në politikë e udhëheqje, si një mbesë Shqipërie, në intervistën e dhënë për KultPlus thotë se ajo ndihet e të dy anëve. Por ajoi tregon se festat i feston me flamur të Shqipërisë, dhe në të njëjtën kohë, ka pak zili për ata që jetojnë në Shqipëri, sepse ai vend sikur e ngroh pak më shumë, dhe një ditë, kur të vjen koha e memoareve, Edita Tahiri mendon të zhvendoset jo andej kufirit, por në vendin ku e ndjen si vendin e saj./KultPlus.com

 

Për t’u bërë pjesë e

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...