Kryeministri Albin Kurti i ka kthyer përgjigje negative kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe.
Pas këtij vendimi, thuhet se priten pasoja të mëdha për Kosovën.
Burime të Gazetës Express nga Shtetet e Bashkuara kanë treguar se në fund të javës, Richard Grenell, Shef aktual i të gjitha shërbimeve sekrete amerikane dhe ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë, do ta shqyrtojë situatën lidhur me heqjen apo jo të tarifës nga Qeveria e Albin Kurtit.
Nuk dihet saktësisht se çfarë masash do të ndërmarrë Amerika, megjithatë pezullimi i investimeve dhe aktiviteteve tjera që ndihmojnë Kosovën për 20 vjet, mund të jetë disa nga masat.
Burimet e njëjta i kanë thënë Express se SHBA-ja është e dëshpëruar me LDK-në, e cila nuk çoi përpara zotimet për çështjen e heqjes së tarifës.
Kryeministrit Kurti i kanë kërkuar heqjen e tarifës shumë zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Kërkesa të njëpasnjëshme ka bërë edhe emisari i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë-Serbi, i cili është emëruar edhe ushtrues detyre i shefit të 17 agjencive të inteligjencës në SHBA.