Brukseli e quan hap pozitiv heqjen e pjesshme dhe me kushte të taksës

Premte, 28 February 2020 09:19

Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media. Një vendim të tillë e ka mirëpritur edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së.

Përmes një deklarate të zëdhënësit të Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, është thënë se ky hap mund të ofrojë një mundësi për rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, të ndihmuar nga Bashkimi Evropian.

Deklarojnë se Borrell është gati ta luajë rolin e tij si ndihmës në dialog nga ana e Bashkimit Evropian.
“Shumë kohë është humbur. Besimi duhet të restaurohet në mënyrë urgjente. Serbia dhe Kosova duhet ta krijojnë një ambient që është i favorshëm për vazhdimin e dialogut, për të mirën e të dyja vendeve. Zëvendëspresidenti/Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell është gati ta luajë rolin e tij si ndihmës në dialog nga ana e Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratë.

Por, këto masa, të cilat çojnë hap pas hapi deri te heqja e taksës me kushte të caktuara, nuk janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter, ka shkruar se “nuk i mbështet masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.

“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentit Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.

Nga ana tjetër kryeministri Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, “është një shenjë e vullnetit të mirë”.
“Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.

Login to post comments