Nga Belind Këlliçi.
Dhuna ndaj grave është ende një fenonem që ndodh rëndom në shoqërinë shqiptare. Vetëm në vitin 2020, janë vrarë 7 femra, pa harruar rastet e abuzimit seksual dhe dhunës që ushtrohet ndaj tyre
Kjo tregon se, përveçse ndodhemi në një krizë politike, ekonomike, institucionale, ne kemi edhe një krizë sociale. Mungesa e edukimit, problemet financiare dhe depresioni psikologjik që ka goditur vendin, janë shkaktarët kryesorë të këtij fenomeni.
Ne e dimë tashmë, se abuzime me femrat ndodhin shpesh nëpër shkolla, gjimnaze dhe auditore universitetesh. Djepi i dijes është kthyer në një mekanizëm për të ushtruar këtë dhunë. Kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha që vajzat e femrat, por edhe të tjerët, duhet të përballojnë para se të kenë një formim arsimor dhe profesional.
Ndërgjegjësimi është arma që ne, si të rinj, kemi në dorë; ndaj unë i bëj thirrje çdo të riu dhe të reje, të mundohet me sa ka në dorë të sensibilizojë njerëzit që ka përreth: miqtë, anëtarët e familjes dhe të afërmit.
FRPD udhëhiqet nga vlerat e një shoqërie të lirë, e individëve që punojnë për veten dhe familjen e tyre, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njerëzve që kanë përreth. Ndaj sot, ne e riafrimojmë qëndrimin tonë për mbrojtjen e lirive personale, si një e drejtë themelore për paqe dhe një shoqëri të lirë.
Dhuna ndaj grave është diçka që duhej të ishte reduktuar, madje duhej të ishte zhdukur me kohë. Mjaft më!