Meta kthen ligjin për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve: Shkel parimin e paanësisë

E mërkurë, 04 Mars 2020 19:52

Presidenti Ilir Meta i kthen mazhorancës për rishqyrtim në Kuvend ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.Në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Kreu i Shtetit argumenton se 4 nene të këtij ligji bien ndesh me nene të Kushtetutës dhe  jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Për këto arsye, këto dispozita duhen rishikuar, së bashku me dispozitat e tjera të ligjit që lidhen procedurialisht dhe materialisht me to.

Argumentimi i Presidentit

 

Sipas dokumentacionit parlamentar rezulton se projektligji i paraqitur Kuvendit për shqyrtim është iniciuar nga një grup deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të njëjtët deputetë të mazhorancës (Adnor Shameti, Alket Hyseni dhe Edmond Leka) që kanë propozuar edhe nismën antikushtetuese që ka marrë numër ligji 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të praktikës parlamentare (relacionit shoqërues të projektligjit, Raportit të Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut), edhe ky ligj synon ndryshimin e rregullimeve ligjore për kryerjen e ceremonisë publike të betimit, si dhe ndryshimin e procedurës së pezullimit të magjistratit, përmes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkaqe që lidhen me verifikimin e pasurisë së tij. Pavarësisht se disa prej dispozitave janë rishikuar me ndryshimet fundit, të miratuara vetëm në Korrik të vitit 2019 për shkak të vakumit ligjor të krijuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 34/2017, propozimi nëpërmjet riformulimit të tyre (si neni 152 i ligjit) deklarohet se justifikohet me nevojën që ka lindur për shkak se hetimet disiplinore mund të zgjasin deri në një vit.

Para së gjithash, Presidenti e mirëpret shtesën e bërë përmes nenit 1 të ligjit nr. 15/2020, që duke saktësuar shtesën për vështirësi pune për magjistratët që ushtrojnë funksionin pranë Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndikojnë në forcimin e statustit të tyre, si mjet për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 15/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe konstaton se nenet 2, 4, 5, dhe 8 të tij, bien në kundërshtim me nenet 742, 116, 140, 145, 147/a dhe 147/d, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Për këto arsye, këto dispozita duhen rishikuar, së bashku me dispozitat e tjera të ligjit që lidhen procedurialisht dhe materialisht me to.

Modifikuar më E mërkurë, 04 Mars 2020 20:44
Login to post comments