Shkelja e afatit të 15 marsit, prova finale në dosjen e ndërkombëtarëve

E Enjte, 05 Mars 2020 18:36

Nga Ilir Nikolla

Më shpejt se vonë po vjen 16 marsi, pra dita pas përfundimit të afatit të vendosur në marrëveshjen paraprake mes partive për miratimin në parlament të një reforme të re zgjedhore. Deri më tani, opinioni publik është njohur vetëm me propozimet publike të opozitës, të cilat ngërthejnë thuajse gjithë spektrin, nga identifikimi e numërimi elektronik i votave në të gjithë vendin, deri tek revolucionarizimi i mënyrës se si financohen partitë politike, ndërkohë që pala kryeministrore është përpjekur të luajë strucin. Ajo s’ka bërë asnjë propozim dhe në përgjithësi është munduar të zvogëlojë rëndësinë e Këshillit Politik, organizmit që në njëfarë mënyrë zëvendëson institucionin e parlamentit, duke u përpjekur të shpallë se dielli do të lindë edhe me 16 mars e se afati i 15 marsit ishte puro statistikor, pasi zgjedhjet gjithsesi do të mbaheshin në 2021-n e deri atëhere kishte kohë.
Këto qëllime u rikonfirmuan edhe në kongresin familjaro-politik që Edi Rama mbajti së fundmi, prandaj vëmendja e opinionit s’ka pse të mos përqendrohet qysh tani, tek fakti se si do të jenë sjelljet e palëve politike pas 15 marsit.
Kapërcimi i 15 marsit nuk është në fakt kapërcimi i një afati kalendarik në një organizëm ad-hoc pranë Kuvendit të Shqipërisë, por është tregues i vullnetit politik të Edi Ramës për ta prishur marrëveshjen politike. Pas 15 marsit, ai do të synojë, për interesat e tij politike që merren me mend, negociimin e një marrëveshjeje tjetër paraprake, me një afat të ri, i cili do ta shtynte punën në kalendat greke dhe do të bënte thuajse të pavlefshëm çfarëdo aksioni politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, në një klimë konsensuale. Ky kryeministër, që ka mundur të relativizojë prej kohësh edhe përpjekjet e shqiptarëve për integrim në BE, që ka relativizuar detyrimin kombëtar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, dhe kudo tjetër ku ata jetojnë, në trojet e tyre, që ka relativizuar rrezikshmërinë që paraqet Rusia për aspiratat e shqiptarëve dhe që ka absolutizuar veç një gjë, rëndësinë e të marrunit vesh me Aleksandër Vuçiçin, vështirë të ndalet e të kuptojë rëndësinë absolute që ka për vendin mbajtja e zgjedhjeve të lira e të gjithëpranuara. Duke u nisur nga historiku i viteve të fundit, 16 marsi do të gdhihet me ligjërimin e Edi Ramës se ligjin zgjedhor e kemi shumë të mirë dhe se opozita është e ftuar të marrë pjesë nëse do, në zgjedhjet e 2021-t.
Prandaj, me kohë e me vakt, është mirë të mësohemi të mos i japim shumë rëndësi negociimit në Këshillin Politik, as krizës identitare që po shfaq në këtë këshill përfaqësuesja e “opozitës parlamentare”, zonja Hajdari, por të përqendrohemi tek “road-map”-i i pas 15 marsit. Prishja e marrëveshjes së 15 janarit është një përgjegjësi e plotë e kryeministrit Rama, prandaj edhe me 16 mars, duhet të vijë prishja e “status-quo”-së në sjelljen politike të koalicionit të opozitës. Asnjë drojë s’duhet të kihet nëse axhenda e re e opozitës mund të ketë mbivendosje me axhendën e presidentit të republikës. Përkundrazi! Kjo mbivendosje është veçse një vlerë e shtuar e aksionit për të ndalur gjendjen latente të uzurpimit të të gjitha institucioneve, një gjendje që po sjell jo veç shpopullimin e vendit, por që rrezikon të komprometojë përfundimisht edhe shpresat e vendit për të kapur trenin e fundit të integrimit.
Këto plagë të mëdha që po majisen përditë janë në fakt axhenda e vërtetë e aksionit opozitar, e nëse ato, për arsye formale, s’mund të vendoseshin në krye të axhendës së Këshillit Politik të 15 janarit, s’ka pse të mos marrin vendin që meritojnë me 16 mars. Me prishjen e marrëveshjes dhe kapërcimin e 15 marsit kthehemi aty ku ishim, në llogoret që meritojnë dy palët, Edi Rama në llogoren e strucit, duke menduar kë të flakë nga treni i koncesioneve për pak më shumë jetëgjatësi politike, dhe opozita në llogoren e mosbindjes civile, si e vetmja mënyrë që njihet për prishjen e “status-quo”-së. Nuk ka qenë një humbje kohe, thjesht një provë e re, finale, në dosjen e ndërkombëtarëve se me Edi Ramën s’mund të mbahen zgjedhje e me të në pushtet Shqipëria s’mund të ketë demokraci. Qoftë edhe vetëm për këtë provë shtesë në dosjen e ndërkombëtarëve, do ja ketë vlejtur dymuajëshi i marrëveshjes me “djallin”, të cilin s’e shpëton dot kërkesa-detaj për një marrëveshje të re.

Modifikuar më E Enjte, 05 Mars 2020 18:37
Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...