Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka dërguar një letër ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, në lidhje me rastin e vëllasit të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Në letrën siguruar nga “Panorama”, Basha shkruan midis të tjerash se “ne jemi thellësisht të shqetësuar nga ndërhyrja politike në shqyrtimin e vazhdueshëm të çështjes ‘Xhafaj’”.
Sipas Bashës, Partia Demokratike nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Ervin Salianji, ka denoncuar publikisht përmes provave përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm në trafikun e lëndëve narkotike.
Duke u ndalur procesi gjyqësor ndaj Salianjit, Basha thotë se sistemi i drejtësisë dështoi të kryente hetime të plota.
“Pavarësisht këtyre zhvillimeve, nën presionin politik të qeverisë, sistemi drejtësisë dështoi të bëjë dhe përfundojë një hetim për këto krime të dyshuara, përfshi tentativat për t’i mbuluar ato, me përfshirjen e zyrtarëve të lartë të policisë dhe politikanëve nga PS”, shkruan Basha në letër.
Më tej, lideri i PD-së shpreh shqetësimin për atë që ndodhi në gjyqin ndaj ish-deputetit demokrat.
“Gjyqi prodhoi shkelje flagrante të ligjit, nga një gjykatës haptas i lidhur me partinë në pushtet duke dënuar përfaqësuesin e PD Ervin Salianji dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi me akuza absurde për raportime të rreme”, thuhet gjithashtu në letër.