Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten një ligj special të propozuar nga qeveria që parashikon fuqi të shtuara për policinë me synimin e “luftës kundër krimit të organizuar”, pavarësisht se ky legjislacion shqetësoi grupimet e të drejtave të njeriut, të cilat e cilësuan atë si një cenim të themeleve të një vendi demokratik, i tillë që dobëson pavarësinë e prokurorisë dhe parashikon masa dukshëm antikushtetuese kundër personave të dyshuar. Akti Normativ u miratua me 89 vota pro.
Në parlament, kryeministri Edi Rama tentoi të mbrojë propozimin e vet duke i sharë kritikët e ligjit si mbrojtës të kriminelëve ndërsa u rrek të poziciononte veten si një luftëtar i pakompromis kundër krimit. Ai argumentoi se kritikët po injoronin vuajtjet e viktimave të krimit, të tillë si viktimat e trafikut të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin apo personat që kanë krijuar varësi nga droga.
“Unë nuk jam dhe e them shumë sinqerisht, aspak i befasuar nga e gjithë përkrahja e befasishme që ka gjetur as më shumë e as më pak, elita e krimit të organizuar sapo ne e kemi shpallur betejën më të skajshme kundër kësaj mortjeje që e ka tollovitur Shqipërinë,” deklaroi Rama.
“Falë të gjithë horrave dhe hipokritëve me kostum që kanë patur një mikrofon në dorë e kanë bërë horr vendin në sytë e atyre që nuk janë shqiptarë, që shkruajnë, broçkullisin e hedhin helm me kënaqësinë më të madhe kundër vendit tonë,” shtoi ai.
Të mërkurën, një grup prej 23 organizatash nxitën Parlamentin të rrëzonte me votë këtë akt normativ. “Ne i bëjmë thirrje parlamentit ta rrëzojë atë,” shkruhet në deklaratën e organizatave.
Sipas tyre, “Akti Normativ anashkalon kuadrin kushtetues të vendit, cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për proces të rregullt gjyqësor, dobëson pavarësinë ligjore dhe efektive të Prokurorisë dhe mund të dëmtojë luftën kundër krimit të organizuar, për shkak se veprimet e ndërmarra nga Operacioni Forca e Ligjit (OFL) si strukturë e ekzekutivit, në disa raste edhe me efekt të menjëhershëm sipas këtij akti, mund të rrëzohen më vonë nga gjykatat si veprime jo në përputhje me standardet kushtetuese dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.”
Akti normativ, i prezantuar nga Rama me nofkën “anti kap çfarë të kapësh”, parashikon që policia të ketë të drejtë të bëjë sekuestrime paraprake apo të urdhërojë personat e dyshuar për krime të mos lëvizin nga vendbanimi i tyre i zakonshëm pa leje, teknika këto të ngjashme me ato të një shteti policor. Por akti normativ, i cili zyrtarisht ka hyrë në fuqi më 31 janar, deri tani ka prodhuar konferenca të përditshme për shtyp të një oficereje policie që deklaron se zakonisht dy personave të njohur apo më pak të njohur për aktivitet kriminal i dërgohet nga një formular në të cilin u kërkohet të rendisin listën e pasurive që kanë dhe burimin e krijimit të këtyre pasurive.
Efikasiteti i kësaj teknike mbetet për t’u parë ndërkohë që disa nga “kriminelët” më të famshëm të vendit kanë deklaruar sakaq publikisht se nuk disponojnë asnjë pronë apo kanë prona modeste dhe për rrjedhojë, nuk kanë asgjë për të justifikuar me burime të ligjshme.
Ndërkohë, opozita ka sulmuar qeverinë duke aluduar se ajo nuk është e gatshme t’i dërgojë formularin në fjalë disa personave të njohur apo të dyshuar për aktivitete kriminale por që janë shumë afër Partisë Socialiste. Ata tregojnë, fjala vjen, rastin e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri i cili u hetua dhe shpall i pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për trafik ndërkombëtar droge por u dënua për abuzim me detyrën.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është kritikuar gjerësisht përgjatë viteve të fundit se ka pasur marrëdhënie bashkëpunimi miqësor me një numër personash me të shkuar të pasur penale, përfshirë deputetë të partisë së tij apo partive aleate apo kryebashkiakë socialistë. Rama në të gjitha rastet ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për të shkuarën e tyre. Në së paku një rast, një ish-deputet i tij, Arben Ndoka, u zbulua pasi u zgjodh deputet se ishte dënuar në Itali për trafik qeniesh njerëzore. Ndoka ka deklaruar se dënimi i tij në Itali ka qenë i padrejtë.
/BIRN/