Presidenti Ilir Meta zhvilloi dje një takim me homologun bullgar, Rumen Radev, me të cilin ka ngritur edhe dolli për miqësinë e fortë mes dy popujve. Këtë e thotë vetë Presidenti shqiptar, përmes një postimi në “Facebook”, shoqëruar dhe me foto nga takimi miqësor.
Ndër të tjera, Kreu i Shtetit vlerëson marrëdhëniet shumë të ngushta mes dy vendeve, teksa shton se Bullgaria ishte streha e sigurt e shumë patriotëve shqiptarë gjatë Rilindjes Kombëtare në luftën për përhapjen e gjuhës shqipe dhe arritjen e pavarësisë.
“I lumtur të ngrija një dolli me Presidentin Radev për miqësinë e fortë të dy popujve tanë! Bullgaria ishte streha e sigurt e shumë patriotëve tanë gjatë Rilindjes Kombëtare në luftën për përhapjen e gjuhës shqipe dhe arritjen e Pavarësisë. Në Sofje, Shahin Kolonja, Kristo Luarasi, Mithat Frashëri etj., në shtypshkronjën “Mbrothësia” botuan abetare pafund dhe gazetën “Drita” për t’i shpërndarë kudo në Atdhe me qëllim lartësimin e ndjenjave kombëtare dhe mobilizimin për kryengritjet finale që do sillnin Pavarësinë tonë në 28 nëntor 1912. Edhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-bullgare duket plot shkëlqim e mirëbesim. 🇦🇱🤝🇧🇬”, shkruan Meta.