Shqipëria drejt autoritarizmit — rezistenca e shqiptarëve kundër autoritarizmit duhet të ketë mirëkuptimin e ndërkombëtarëve!

Hënë, 09 Mars 2020 08:42

Nga Frank Shkreli

Ish Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Gjithnjë e më shumë po dëgjohen zëra , brenda dhe jashtë Shqipërisë, se ai vend është duke rrëshkitur shpejt drejt autoritarizmit. Këta zëra ekspertësh, analistësh dhe organizatash vendase dhe ndërkombëtare të drejtave të njeriut, po shprehin shqetësimet e tyre tepër serioze mbi gjendjen  aktuale politike në vend se:  Shqipëria nën udhëheqjen e Kryeministrit Edi Rama po shkon me hapa të shpejtë drejt autoritarizmit. Ata nënvizojnë përpjekjet dhe masat  e marra prej tij — de facto dhe de jure — për të kontrolluar të gjitha entet qeveritare dhe shtetërore të vendit, duke përfshirë ekzekutivin, parlamentin, gjykatat, sistemin juridik në përgjithësi dhe pothuaj të gjitha bashkitë e vendit, dhe një pjesë të madhe të medias, duke e kërcënuar atë me ligje të reja te ashtuquajtura antishpifje.

 

Lufta që Kryeminstri Rama ka shpallur kundër zyrës së Presidentit të vendit — i vetmi ent shtetërorë që deri tani nuk kontrollohet nga Kryeministri Rama dhe shumica e tij socialiste, duket se ka zgjuar shqiptarët nga gjumi, siç tregoi edhe manifestimi masiv i para disa ditëve në Tiranë. Ishte kjo një shprehje e qartë e shqiptarëve se mjaft është mjaft , një mesazh i fortë ky për Kryeministrin Edi  Rama dhe shumicën e tij socialiste, se populli shqiptarë është i gatshëm ti thotë STOP  prirjeve autoritare dhe arrogancës së Kryeministrit Rama dhe diktaturës së tij të shumicës socialiste.

5

Paul Lendvai, njëri prej ekspertëve më të njohur të çështjeve shqiptare dhe ballkanike, e ka cilësuar kohët e fundit për gazetën ‘Der Standard’, Shqipërinë si një shtet i brishtë, ndërkohë që paralajmëron se autoritarizmi i Kryeministrit shqiptar, Z. Rama duhet marrë seriozisht. Tonet e herë pas hershme nacionaliste të Rames shkruan ai, nuk duhet të merren me aq seriozitet dhe shton se, “Më shumë kujdes i duhet kushtuar asaj që kritikohet si kapja e institucioneve të drejtësisë dhe ndikimit të hatashëm të kartelave të drogës në Shqipëri”.

“Unë u përkas opinionistëve të paktë që kanë përjetuar diktaturën më mizore në Evropë, regjimit vrastar të Enver Hoxhës”, shkruan Lendvai dhe u drejtohet diplomatëve ndërkombëtarëve  në Tiranë me këtë thirrje: “Forca mahnitëse e rezistencës së popullit shqiptarë kundra prirjeve autoritare duhet patjetër të gjejë mirëkuptimin, ndihmën dhe solidaritetin e komunitetit ndërkombëtarë”, ka shkruar para tre javësh Paul Lendvai, për gazetën austriake Der Standard.Fatkeqësisht, mbështetja dhe përkëdhelja e autoritarëve dhe diktatorëve anë mbanë botës, nga bota perëndimore nuk është diçka e re. Historia ka shënuar dyzina rastesh kur ndërkombëtarët, nëqoftëse nuk kanë mbështetur haptazi diktatorë aktualë ose në formim e sipër, atëherë ata i kanë mbyllur sytë dhe veshët perballë veprave te tyre, për interesa të ndryshme.

Më kujtohet një thënje që i atribohet ish-presidentit amerikan Franklin Delano Roosevelt, i cili thuhet të jetë shprehur për mbështetjen që SHBA  i kishin akorduar diktatorit të Nikaraguas,në atë kohë, Anastasio Somoza. “Somoza may be a son of a bitch, but he is our son of a bitch”. Është pak banale ta përkthej këtë thënje nga anglishtja por pak a shumë do të thotë: “Somoza mund të jetë një diktator, por ai është diktatori ynë”, një fraze kjo që edhe sot përdoret në raste kur është vështirë të justifikohet mbështetja e vendeve demokratike për diktatorë që abuzojnë me të drejtat bazë të qytetarëve të tyre. Sot kemi dyzina vendesh të tilla anë e mbanë botës, përfshirë Rusinë dhe Kinën. Por kjo nuk duhej të ndodhte me Shqipërinë! Është e vërtetë se ndërkombëtarët duhet të merren me qeverinë e zgjedhur në cilindo vend qoftë, përfshirë edhe Shqipërinë. Pasi pa njëfarë marrëdhënieje normale midis dy palëve nuk mund të bëhet asnjë përparim. E kuptoj edhe balancin e interesave dypalëshe.

Por ajo që nuk kuptoj është heshtja publike e ndërkombëtarëve në Tiranë karshi kapjes së institucioneve shqiptare nga një person e nga një parti politike — diçka që nuk përputhet fare as me interesat dypalëshe dhe as me vlerat e përbashkëta perëndimore që pretendojmë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatet e saj perëndimore për pothuaj një shekull tani kanë balancuar interesat e vendeve të tyre me respektin për vlerat perëndimore, respektin për të drejtat e njeriut, lirinë dhe demokracinë përfaqësuese, e të tjerë.

Heshtja e ndërkombëtarëve në Tiranë ndaj shkeljes flagrante të këtyre të drejtave të sanksionuara edhe ndërkombtarisht, përfshirë kapjen e institucioneve, nuk është në interesin e perëndimit — se në interesin e shqiptatëve, jo se jo! Kjo duhet të jetë kauza e ndërkombëtarëve në marrëdhëniet e tyre me kryeministrin shqiptar, me qeverinë e tij dhe me të gjitha entet e tjera të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar. Për ndryshe, përballë kaosit politik aktual në Shqipëri, taksapaguesit amerikanë dhe evropiano-perëndimore, me të drejtë, mund të bëjnë pyetjen: Ku është suksesi në Shqipëri që është premtuar nga derdhja e fondeve marramendëse këto 30-vjet post-komunizëm.

Rezistenca e shqiptarëve sot ndaj prirjeve autoritare në vend, ka nevojë më shume se kurrë, siç sugjeron edhe analisti evropian i çështjeve shqiptare, Paul Lendvai – për mirëkuptimin, ndihmën dhe solidaritin e diplomatëve ndërkombëtarë në Tiranë. Për ndryshe, në sytë e popullit shqiptar — që dita ditës po largohet masivisht nga vendlindja, si rezultat i kaosit politik — ju do të dukeni të pa aftë dhe të diskredituar.

Login to post comments