Rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, PDIU e cilëson si një fitore për popullin dhe moment reflektimi për klasën politike.
Me anë të një deklarate, PDIU thekson se ky është një avancim i aspiratës për integrimin në Bashkimin Europian.
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndet rekomandimin e KE-së për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ky është një avancim i aspiratës së kahershme të shqiptarëve, për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Kjo është një fitore e shqiptarëve dhe një moment reflektimi për politikën shqiptare, e cila në mënyrë ciklike me krizat politike, mungesës së vizionit në ekonomi, korrupsionit, sistemit zgjedhor jo transparent dhe jo të barabartë, kanë ngadalësuar këtë vokacion të shqiptarëve.
PDIU bën thirrje që të vendosen interesat kombëtare para atyre partiake dhe propozojmë një pakt kombëtar për integrimin, reformën zgjedhore dhe ndryshimin e ligjit për referendumet”, thuhet në reagimin e partisë së drejtuar nga Shpëtim Idrizi.