Rama foli për pagën e tij/Meta: Përshëndes planin, sa i takon trajtimit tim...

E Enjte, 19 Mars 2020 21:04

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ministra e deputetë do të marrin gjysmën e pagës deri në fund të kësaj lufte, duke iu referuar koronavirusit.

Teksa prezantoi masat e qeverisë, Rama falënderoi Presidentin e Republikës Ilir Meta për të cilin tha se qysh se kemi hyrë në këtë luftë po ndihmon si mundet dhe sa mundet por ia la në dorë të vendosë ai vetë nëse do e dhurojë pagën për këtë kauzë.

 

Pak më vonë reagoi kreu i shtetit, Ilir Meta.

 
 

"Përshëndes mbështetjen financiare të bërë publike nga Kryeministri.

 

Ftoj Qeverinë të përcaktojë sa më parë kriteret e ndihmës për biznesin dhe familjet më në nevojë.

Inkurajoj gjithashtu konsultimin me grupet e interesit për të bërë transparente detajimin e fondeve, për t'u dhënë përgjigje të menjëhershme nevojave emergjente të qytetarëve.

Sa i përket trajtimit financiar të Presidentit të Republikës, ai do të shkurtohet në të njëjtën mënyrë, si dhe për zyrtarët e lartë të shtetit, të parashikuar në planin e bërë publik.

Po kështu Institucioni i Presidentit të Republikës është solidarizuar me shkurtimin e fondit të buxhetit vjetor në interes të riadresimit të tyre, në mbështetje të shëndetësisë dhe sektorëve të vijës së parë në këtë përballje me pandeminë globale të COVID 19.

Bashkëpunimi, gjithëpërfshirja, humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar do të na japë të gjithëve fuqinë e duhur pozitive për ta fituar këtë sfidë, duke mundur frikën, me besimin e palëkundur te e ardhmja dhe në Zot," tha Meta,

Login to post comments