Një fakt dyshues se paketa 100 milionë euro është ndarë akoma pa filluar duket edhe se opozita e mbështeti direkt, pra vetëm një njeri si Arben Ahmetaj mund të bashkojë gjithë fijet me ngjyra të ndryshme në opozitë!
Me një vendim të datës 18 mars 2020, nr. 228, kryeministri Rama ia dorëzoi krejt paketën e ndihmës Arben Ahmetaj, kurse zv/kryeministrin Braçe e la të bënte vrap te Liqeni edhe në kohën e emergjencës. Mund të kem njëmijë kundërshtime për Erjon Braçen, por vetëm për një gjë nuk është dhe nuk mund të akuzohet, si politikan i përzier në korrupsion apo i padrejtë. Ndaj quhet Erion Braçe, i drejtë dhe i ashpër.
Arben Ahmetaj është specialist i zoti dhe shfaqet sa herë Shqipëria ka fatkeqsi. Ra tërmeti dhe kryeministri e mori ministër për Rindërtimin. U shfaq koronavirusi dhe prapë kryeministri e caktoi me VKM si “ministër de facto” financiar dhe shpërndarës i parave të buxhetit të shtetit. Edhe sikur, për dreq, pas koronavirusit të shfaqet gripi i derrit ai prapë do emërohet nga Rama si ministër i derrit. Edhe sikur të vijë moria e karkalecave nga Afrika dhe të na shkatërrojë fushat, prapë Rama do e marrë si ministër i karkalecave!
Dje oligarkët dhe biznesmenët e mëdhenjë festuan në vilat e tyre sapo dëgjuan paketën 100 milion euro. Ata e dijnë se si do ndahet kjo shumë dhe mund të kenë rënë në ujdi para se të dilte shifra. Ministri Ahmetaj është profesionist në fushën e mirëkuptimit dhe paqtimit mes të fortëve të biznesit. Një shkëndijë të plasi mes oligarkëve dhe bëhet nami, ndaj ministri fuqiplotë rri me çantë në dorë për të fikur zjarret. Jo bombël zjarrfikëse, por në financa “bombolat” janë me euro!
Gjithsesi kryeministri ndjehet i qetë tashmë se ia ka caktuar njeriut më kompetent për të ndarë 100 milion eurot për biznesin. Telefoni i ministrit është kthyer si në një call center me 11 linja, pasi kaq është numri i oligarkëve!
Por ministri fuqiplotë apo siç quhet tani ministri 100 milionësh ka aftësi çudibërëse se ul në një tavolinë, edhe me maska, të gjithë ata që ia bëjnë jetën sterrë kryeministrit.
Tani ministri është kulmin e punës, po ndan racionet! Edhe për popullin!
Spiten Prulli