FMN, Georgieva: Kemi hyrë në recesion, më keq se në 2009

Saturday, 28 Mars 2020 08:01
Pandemia e koronavirusit e ka çuar në rënie ekonominë globale, tha të premten shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.

“Është e qartë se kemi hyrë në recesion, që do të jetë më i keq se në vitin 2009, pas krizës globale financiare”, tha Georgiva në një konferencë online për media.

Me "ndalimin e papritur ekonomik" në të gjithë botën, Georgieva tha se FMN-ja vlerëson se "nevojat e përgjithshme financiare të tregjeve në zhvillim do të jenë 2.5 trilionë dollarë."

Mbi 80 vende të botës, shumica me të ardhura të ulëta, tashmë kanë kërkuar ndihmë urgjente nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, tha ajo, sipas REL.

"Ne e dimë që rezervat e tyre dhe burimet e tyre të brendshme nuk janë të mjaftueshme", tha Georgieva, duke shtuar se FMN-ja synon ta përshpejtojë reagimin e saj.

Shumë kompani në botë kanë ndaluar punën, pasi qeveritë e tyre kanë urdhëruar miliona njerëz të izolohen, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Georgieva mirëpriti një paketë të ndihmës, në vlerë prej 2.2 trilionë dollarësh, të miratuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara.

"Është absolutisht e domosdoshme që të mbrohet ekonomia më e madhe në botë kundër një rënieje të papritur të aktiviteteve ekonomike", tha Georgieva.

Login to post comments