Ja si dështoi Rama në gjyqin ndaj gazetarit të BILD

Hënë, 13 Prill 2020 12:32

Publikimi i përgjimeve në qershor 2019 nga gazeta gjermane BILD dhe që implikonin rëndë qeverinë e kryeministrit Edi Rama në përfshirje të manipulimit të zgjedhjeve apo dhe me lidhje me eksponentë të njohur të botës së krimit në Durrës dhe Dibër shkaktoi tronditje te mazhoranca. Vetë kreu i shumicës njoftoi se do të ndiqte rrugën ligjore ndaj gazetarit Peter Tiede, i cili kishte botuar përgjimet.
“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije” – shkroi Rama në atë kohë Twitter.
Dhe në fakt, në muajin gusht 2019 kryeministri Rama e ka hedhur ne gjyq gazetarin gjerman, Tiede. Burime të lapsi.al konfirmojnë se gjyqtari i çështjes në Hamburg i rrëzoi pretendimet e Ramës duke u shprehur se “Rama me siguri ka qenë në dijeni të manipulimit të zgjedhjeve”.
Të njëjtat burime thanë se më pas Kryeministri i Shqipërisë ka provuar edhe dy herë të tjera për të hapur një gjyq civil në Frankfurt, por në fund është tërhequr pasi e kanë informuar se gazetari gjerman Peter Tiede ishte duke grumbulluar fakte dhe prova të reja si dhe dëshmitarë konkretë.
Duke qenë se këto procedura ligjore Rama i ka ndjekur në cilësinë e Kryeministrit, ai është i detyruar të publikojë me transparencë të gjitha shpenzimet që ka kryer në ndjekje të gazetarit gjerman. Gjë që ende nuk e ka bërë.
I pyetur për këtë çështje, gazetari Tiede nuk pranoi të komentonte vetëm tha në mënyrë ironike: “Tërheqja e Ramës është i vetmi veprim i mençur i tij”./LAPSI.al

Login to post comments