Tallja dhe e vërteta me 'pagën e luftës': Qeveria të jep realisht vetëm 2 mijë lekë në muaj!

Hënë, 13 Prill 2020 12:41

Më 28 mars u mësua vendimi i qeverisë që parashikon mbështetjen me të ashtuquajturën “pagë e luftës” për shkak të situatës së krijuar në vend nga COVID-19, për të vetë-punësuarit.
Jemi në mes të muajit prill dhe në terren rezulton, se procesi po ecën mjaft ngadalë si pasojë e një kalvari burokratik me formularë të cilët duhen plotësuar, si dhe detyrimin që edhe pas kësaj Tatim-Taksat të bëjnë verifikimet nëse përfituesit i kanë paguar nëpër banka, detyrimet e tyre të shumta. Sipas këtij vendimi të gjithë përfituesit do të përfitojnë 26 mijë lekë të reja, shumë kjo që korrespondon edhe me pagën minimale zyrtare në vendin tonë.
E vërteta është se që të jesh përfitues, mes gjithë detyrimeve që duhet të paguash janë edhe sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, të cilat së bashku shkojnë në 24 mijë lek të reja. Por `kleçka` qëndron se të gjithë ata që e kanë marrë apo janë në proces për “pagën e luftës” për muajin mars, duhet që deri në datën 20 prill të kenë paguar detyrimet për sigurimet të cilat shkojnë në 24 mijë lekë të reja.
Nëse e bëjnë këtë pagesë, rezulton se kanë marrë si ndihmë nga qeveria vetëm 2 mijë lekë të reja. Nëse nuk e bëjnë pagesën për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, atëherë nuk do të përfitojnë asgjë për muajin prill, i cili është në vazhdim. Ky është kurthi dhe demagogjia e “pagës së luftës”, që ka miratuar qeveria me rastin e `betejës` së saj kundër virusit COVID-19.

Edhe kreu i shoqatës së Biznesit të Vogël, Shpëtim Agolli, në disa dalje për mediat e ka denoncuar këtë lojë me `pagën e luftës`. Sipas tij e gjitha kjo është thjesht demagogji, sepse përfitimi real edhe i atyre që arrijnë ta marrin “pagën e luftës” është vetëm 2 mijë lekë të reja në muaj.
Qeveria në kohën që mori vendimin, njoftoi se aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga subjekti i të vetë-punësuarit/të punësuarit.
I njëjti vendim sqaron se përfituesit e ndihmës financiare janë individët e vetëpunësuar/të punësuar në subjektet me të ardhura vjetore deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë për vitin 2019, sipas kategorizimit të mëposhtëm: a) Personat fizikë të vetëpunësuar; b) Punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar; c) Të punësuarit në personat fizikë tregtarë; ç) Të punësuarit në personat juridikë.
Në këtë vendim të qeverisë thuhet gjithashtu se për të përfituar ndihma financiare, duhet që subjekti tatimpagues duhet që së pari të ketë ndërprerë aktivitetin në zbatim të urdhrave përkatës të ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), të nxjerra për këtë qëllim. Së dyti të ketë përgjegjësi tatimore për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin mbi fitimin. Së treti të ardhurat e deklaruara të të cilit, sipas deklaratës së tatimit mbi fitimin/tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për vitin 2019, të jenë deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë.
Nga ana tjetër nënvizohet se subjektet që përmbushin kushtet duhet të paraqesin edhe kërkesën pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet portalit efiling, kërkesën me të dhënat e përfituesve sipas pikës 3, të këtij kreu, ku përfshihen: a) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS; b) Të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë të vetë-punësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe të punësuarit, përfshirë: i. emrin, atësinë, mbiemrin; ii. numrin personal të identifikimit të përfituesit; iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; iv. numrin e llogarisë bankare.

Pas kësaj kalvari burokratik, vazhdon me procesin e verifikimit nga autoritetet.
Vendimi sanksionon se pas paraqitjes së kërkesës nga subjekti, nga ana e strukturave të drejtorive rajonale tatimore bëhet verifikimi dhe identifikimi i aplikuesve si dhe kërkesave të tyre, brenda 10 ditëve të para të muajit pasardhës. Verifikohet nëse tatimpaguesi dhe veprimtaria e tij, bën pjesë në listën e veprimtarive që përfitojnë ndihmën financiare. Po kështu deklarimet e bëra dhe pagesat e kryera për tatimet dhe kontributet (siguracionet e pensionit dhe ato shëndetësore) si dhe krahasimisht listën e paraqitur për përfitim ndihme me listëpagesën e dorëzuar në mënyrë elektronike dhe detyrimet e paguara. Në fund edhe të ardhurat e realizuara nga subjekti për vitin 2019.
Efektet financiare të këtij vendimi llogaritet që të jenë 5.85 miliardë lekë të reja në total, por ndihma financiare, që përfitojnë të vetëpunësuarit, punëtorët e papaguar të familjes dhe të punësuarit sipas këtij vendimi, është e barabartë me pagën minimale në fuqi, 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë në muaj, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Login to post comments