Vasili: Masat jane thjesht propagandë, tek qytetarët nuk arrin asgjë

Premte, 17 Prill 2020 13:23

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili në një konferencë për mediat është shprehur se masat janë thjeshtë për propagandë.

Sipas Vasilit, asnjë gjë, asnjë ndihmë nuk ka mbërritur tek qytetarët.

Deklarata e plotë e Petrit Vasilit:

Jemi në këtë komunikim së bashku pikërisht për të sqaruar në mënyrë realiste se si qëndrojnë problemet me pandeminë, e cila është ajo që po dominon gjithçka në jetën tonë, që kufizon jetën tonë, që ka krijuar një stres jo të pakët dhe që sigurisht kërkon një trajtim Professional, një trajtim të përgjegjshëm dhe një trajtim me vizion afatgjatë. Pasi dëmi ekonomik I krijuar kërkon pikërisht një vizion të tillë.

Por njëherazi është për të sqaruar një herë e mirë të gjithë së bashku edhe nga pikëpamja teknike atë që ka të bëjë në radhë të parë me numrat e pandemisë.

Ne kemi dëgjuar në mënyrë, për fat të keq, më të papërgjegjshme në botë, kryeministri i Shqipërisë referohej pas disa skenarëve të caktuar, mund të kishte në Shqipëri 18 000 të vdekur dhe ka qenë pikërisht kryeministri që na ka mbrojtur këta 18 000 të vdekur.

Të nderuar qytetarë! Ne sigurisht kemi respekt për çdo lloj deklarate që do të vinte bazuar në të dhëna shkencore dhe teknike, por unë në emër të të gjithë shqiptarëve po them refuzojmë dhe çdo shqiptar refuzon që të trajtohet si indianët dikur të Amerikës, të cilët kolonizatorët i gënjenin duke i dhënë copa xhami e duke I marrë flori.

18 000 vdekje për popullsinë 2.8 milion banorë të Shqipërisë do të thotë të nderuar qytetarë që të kishim 4 herë më shumë vdekje sesa Kina, e cila është rreth 500 herë më e madhe sesa Shqipëria. Pra Kryeministri thotë që Shqipëria me 2.8 milion do të kishte vdekje 4 herë më shumë se Kina që është 500 herë më e madhe se sa Shqipëria.

Asnjë shifër e asnjë vendi të prekur, gjëkundi, në asnjë mundësi teknike nuk mund të mbështeste, pikërisht një turp të tillë të nxjerrë nga goja e kryeministrit. Prandaj ne jemi këtu për t’I thënë kryeministrit që: ‘Merr masat. Bëji testimet.’ Sepse në rast të mos bërit testimet të dneruar qytetarë, shikoni se ne kemi një kurbë të tillë (Grafik). Një kurbë që është e gjitha drejtvizore dhe në të kundërt të të gjithë vendeve të botës, kudo anë e mbanë globit sepse virusi që ka prekur Shqipërinë nuk është një virus i veçantë që është hedhur nga diku dhe u është hedhur shqiptarëve dhe nuk ka lidhje me të tjerët.

Kjo është një kurbë normale e epidemisë të nderuar qytetarë, që ta keni shumë parasysh, që do të thotë ka një ngjitje që mund të jetë shumë e thepisur pra eksponenciale, mund të jetë dhe pak më e butë, ka një periudhë qëndrueshmërie që duhet në gjuhën e teknikëve plato, pra e sheshtë dhe fillon zbritja.

Ku është kurba e Shqipërisë?

Kurbën e Shqipërisë nuk mund ta gjeni gjëkundi dhe kjo nuk ka asnjë mundësi shkencore që të ekzistojë por ky është thjesht një manipulim për shkak të testimeve shumë, shumë të pakta që kanë pasur si qëllim vetëm e vetëm fshehjen e të së vërtetës.

Të nderuar qytetarë ju keni dëgjuar që gati 2 javë e ca përpara patëm 26,27,28 raste ndërkohë që kemi një periudhë të qëndrueshme deklaronin autoritetet po ja pra u shfaqën para dy ditësh 24 raste, serish 21 raste dhe kurba e dhëmbëzuar, e veçantë, e padëgjuar e Shqipërisë po çudit dynjanë.

Ky është një turp të nderuar qytetarë, nuk mund të gënjehen shqiptarët në këtë mënyrë.

Testimet masive do të krijonin idenë se çfarë kurbe kemi, vazhdojmë ngjitemi, kemi ndalur, jemi në periudhën e sheshtë, po dalim a po presim të dalim nga pandemia.

Këto sigurisht orientojnë edhe skenarët pra mënyrën se si do të trajtohen ekonomitë, si dilet nga izolimi dhe si përgatitemi për rifutjen në jetë normale dhe për të rimarrë ato ritme e për të shpëtuar ekonominë e cila po rrënohet.

1.2 miliardë euro janë humbur deri tani nga prodhimi i brendshëm bruto i Shqipërisë për shkak të këtyre kufizimeve të jashtëzakonshme, po a ka Shqipëria jonë e varfër mundësi të përballojë të tilla ngarkesa?

Prandaj ne duhet të ishim më të kujdesshëm, ne duhet të bëjmë testime më shumë nga të gjithë të tjerët sepse për pak milionë euro teste, 3-4 milionë euro teste do të kursenin miliarda e miliarda lekë të shqiptarëve apo qindra milionë euro të cilat nuk u rikuperohen dot dhe një vend shumë i dobët si Shqipëria nuk do ta merrte veten dot kurrë.

Kryeministri ka thënë shpesh falë masave të tij por po e pyes publikisht kryeministrin sigurisht sepse refuzoj që shqiptarët të trajtohen si indianët që mund të gënjehen e mund të tallen me çdo gjë nga kolonizatorët e tyre.

Po ç masa ka marrë kryeministri? Masat kanë ndryshuar 15 herë, 1 herë në dy-tre ditë ashtu sikurse emocionet apo turbullirat neurotike, e bllokuan 1 orë, mund ë dalim vetëm 2 orë, pastaj 1 orë e gjysmë, pastaj bllokohen disa dyqane, pastaj bllokohen disa aktivitete, po çfarë bënte kryeministri? Mos e nxirrni nga mendja qytetarë, mbante hapur kufirin me Italinë dhe ditë të tëra pasi pandemia kishte filluar, tragetet që vinin nga Italia, një zonë shumë e prekur vazhdonin të vinin në Shqipëri, në Shkodër deri para pak ditësh në doganën e Hanit të Hotit hynë qindra njerëz, ndërkohë që shqiptarë të tjerë mbaheshin atje të bllokuar dhe nuk mund të hynin në Shqipëri.

Pra, hynin qindra njerëz, pra lejoheshin tragetet të hynin, por çfarë kufizimi ishte kjo? Ç’masë në kohë ishte kjo? Të gjitha këto masa nuk krijuar asgjë tjetër, por vetëm dendësinë e qytetarëve, mundësinë e përhapjes së pandemisë dhe shfaqjen e vatrave që vazhdojnë të shfaqen nëpër Shqipëri, siç kishim Krujën, siç u shfaq papritmas Mallakastra, doli Kukësi, pse? Sepse po të kishim bërë testim në mënyrë të veçantë në qytetet që ishin dhe zona me hyrje-dalje kufitare do të kishim një situatë në dorë, do të dinim ku po shkojmë dhe nuk do merreshim me parashikime që u kanë hije fallxhoreve dhe jo instrumenteve qeveritare, as qeverisë, as kryeministrit dhe as njerëzve të caktuar. Kryeministri thotë për masa të shkëlqyera që i paska marrë, por cilat janë masat, pse kurba nuk ulet, pse kurba nuk ka as ngjitje, as pjesë të sheshtë dhe as zbritje, çfarë masash janë këto? Të çfarë tipi? Fanar është Shqipëria, që është vendi që ka kulmin e shkencës botërore, por të jemi modest, nuk është Shqipëria vendi që ka shkencën botërore. Shqipëria mund të ishte në rastin më të mirë falë ekspertëve të saj një adaptuese, kopjuese në rastin më të mirë të fjalës, jo në atë të keqin, të modelit më të mirë që i shkonte Shqipërisë dhe që nuk kërkonte as shpenzime të jashtëzakonshme, por kërkonte vetëm organizim, kërkonte testime, mobilizimin e mjekëve të familjes, sigurim i respiratorëve në kohë dhe të tjera.

Ju e dini që nga 100 respiratorë mezi u katandisën 5, por dhe ajo nuk përfundoi, kur do të vijnë respiratorët, po 30 mijë testet, kur pandemia të mbarojë? Cilat masa u morën në kohë? Kush është ai qe ka kurajën dhe flet për masa të marra në kohë? Masa të marra në kohë do të ishte të ishin marrë që në shkurt, ku siç del publikisht rastet paskan qenë dhe kjo është një përgjegjësi e rëndë se si rastet dhe dyshimet për të tilla raste janë mbajtur dhe nuk është marrë asnjë masë, që të ishin shtrënguar kufijtë që në shkurt, po do të kishte qenë në kohën e duhur, i kemi dhënë dhe modelin, ato masa bllokuese dhe shtrënguese që u morën që në kohën e SARS-it, këto ishin masa në kohë, ndërsa të vazhdosh ti mbash dhe të shpallësh gjendjen e epidemisë 4 ditë pasi u shfaqën rastet e para, atëherë është shpallur gjendja e epidemisë me akt zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë, jo që 24 orët e para. Ndërkohë që tragetet venin dhe vinin.

Sot më shumë se kurrë, shqiptarët që janë dëmtuar nga ky administrim i dobët dhe që nuk po i jep mundësinë Shqipërisë që të kuptojë a dalim dot apo jo nga kjo krizë, sepse siç e shikoni ajo kurba vazhdon të lëvizë si dhëmbët e sharrës, nuk ka lidhje fare me një kurbë mjekësore të Coronavirusit, sepse ky nuk është një armik i specializuar për Shqipërinë që vjen këtu, e nuk është as armik tinzar, as dinak dhe unë refuzoj të përdor budallallëqe të kësaj natyre. Viruset janë viruse, janë patogjen. Janë armiq të shëndetit të njeriut. Nuk jana as tinzarë, as dinakë, janë thjesht agjentë që shkaktojnë sëmundje të njeriu, si të gjithë agjentët e tjerë viralë, bakteriolë. Nuk kanë nevojë për karakterizime të karakterit artistik. Këto janë budallallëqe të njerëzve që nuk dinë të administrojnë dhe që nuk marrin përgjegjësi administrimi.

Shqiptarët sot kanë nevojë për transparencë, kanë nevojë për ndihmë konkrete, kanë nevojë për para në dorë që të mbarojnë hallin themelor të tyre që është mbijetesa, buka e gojës. Mijëra familje janë përpara një vështirësie të tmerrshme të sigurimit të bukës së gojës. Shqiptarët kanë nevojë për kritere të thjeshta, të qarta dhe përfitim sa më parë të kësaj ndihme. Jo për dhjetra kritere. Po këto janë dinake, përjashtuese, të pabesa, të cilat bëjnë sikur ua japin dhe në realitet atij qytetari nuk i shkon as 10% i asaj ndihme që duhej të shkonte, qoftë financiare apo të tjera.

Ka dalë publikisht kryeministri dhe ka thënë që ka ndihmuar 163 mijë e 811 familje. Për herë të pestë nga kjo tavolinë dhe të gjitha mënyrat i kam kërkuar të bëjë publike listat. Ka thënë që u ka dërguar ndihma ushqimore, çfarë ndihmash u ka cuar, në ç’sasi? Ka thënë që u kanë dërguar edhe barna, por a mund të dijë kryeministri se për cilat barna ka nevojë secila familje? Kjo dukët qartë që është një gënjeshtër e madhe. Në rast se janë biznese që duhen ndihmuar, por në cilat kritere, kush i përfitoi dhe çfarë mori? Mënyrat se si bizneset do marrin kredi mbi kredi? Do marrin kredi për të paguar pagat? Për t’u asgjësuar përfundimisht? Kjo ka vetëm një pëgjigje, në raste se insistohet të bëhet kjo. Kjo është një paketë krejtësisht antisociale kundër qytetarëve, do të thotë që do të rrënohen këta dhe oligarkët miq e klientë të kryeministrit, të lulëzojnë në ditë të vështira ashtu sikurse bëjnë qeveritë kuislinge në kohë pushtimi dhe spekulatorët në kohë të zeza. Por edhe fundi i qeverive kuislinge dhe fundi i spekulatorëve ka qenë gjithmonë I njëjti dhe ka qenë shumë shumë i keq.

Ne do të vazhdojmë të nderuar qytetarë, të ndajmë me ju të gjitha këto të vërteta që lidhen me pandeminë, duke iu referuar të vërtetave mjekësore, teknike, atyre që janë realiteti i gjërave, se shqiptarët nuk janë indianë, të cilët një kryeministër demagog dhe që e ka bazuar gjithçka mbi propagandë dhe demagogji, e mbi gjuhën e rëndë dhe vulgare, të mund ti gënjejë. Shqiptarët kanë identitet të fortë, kanë ditur të ndryshojnë fatet e tyre me kurajo dhe kanë ditur të dalin nga situata të vështira. Për fat të keq në këtë rast u mungon tërësisht qeveria që ta kenë në krahun e tyre. Por solidariteti i shqiptarëve, sigurisht do të dijë ti japë zgjidhje edhe kësaj.

Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...