Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku, publikon një pjesë të raportit të fundit të FMN, ku sipas saj, thuhet se qeveria e Edi Ramës është tërhequr nga dy projekte skandaloze dhe mafioze, ligji i Korporatës dhe ligji për Amnistinë Fiskale.
Sipas ish-deputetes Tabaku, ligji i Korporatës së Investimeve është një hallkë e një zinxhiri kriminal të vjedhjes dhe abuzimit të pronës private dhe asaj publike, duke shtuar se “FMN dhe Banka Botërore kanë nënvizuar se ky ligj ishte po aq i rrezikshëm sa PPP-të për buxhetin e shtetit”.
Mesazhi i Tabakut:
Në raportin e fundit të FMN u lajmërua se qeveria e kryeministrit Rama është tërhequr nga dy projekte skandaloze dhe mafioze. Sipas raportit të FMN qeveria ka shtyrë apo pezulluar në kohë si ligjin e Korporatës ashtu edhe ligjin për Amnistinë Fiskale.
Ligji i Korporatës së Investimeve është një hallkë e një zinxhiri kriminal të vjedhjes dhe abuzimit të pronës private dhe asaj publike. Duke qenë se ligji konfiskonte gjithçka për interes të një pakice që tanimë kontrollon ekonominë dhe qeverinë, që miraton apo shkarkon ligje dhe ministra, ai kishte si synim vazhdimin me abuzimin si me të drejtat e njeriut dhe me buxhetin e shtetit apo asetet publike (pra tokën).
Opozita ka bërë një betejë një vjeçare duke e kundërshtuar këtë ligj por edhe institucione serioze ndërkombëtare si FMN dhe Standard and Poor’s kanë nënvizuar rrisqet fiskale dhe jo vetëm. FMN dhe Banka Botërore kanë nënvizuar se ky ligj ishte po aq i rrezikshëm sa PPP-të për buxhetin e shtetit.
Gjithsesi kjo tërheqje e përkohshme e qeverisë nuk lë vend për shumë gëzim. Ajo me gjasë ka qenë një manovër për të bindur FMN që të disbursojë ndihmën. Një tërheqje e përkohshme që padyshim shënjon një hap pozitiv por jo definitiv, pasi aktorët e vërtetë të këtij ligji do të përpiqen ta implementojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
Kjo, ngase ky projekt është i ngritur mbi arrognacën dhe vizionin e tyre oligarkik të Shqipërisë. Një vizion që ka zhytur në këtë gjendje amullie buxhetin e shtetit që nuk mund t’i përgjigjet sot nevojave imediate që ka ekonomia dhe shoqëria në këtë periudhë krize. Përballë kësaj filozofie qeverisjeje nuk është rastësi shtyrja në kohë, por askush nuk duhet të harrojë që ne do të jemi aty për ta luftuar.
Padyshim që ditën e parë të mundësisë do ta zhbëjmë edhe këtë ligj, që është në kolanën e ligjeve kriminale që bie ndesh me të drejtën e pronës dhe parimet bazë të ekonomisë.