Parlamenti miraton shtyrjen deri në 23 qershor të Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore

E Enjte, 23 Prill 2020 13:36

Parlamenti ka votuar sot me 91 vota pro shtyrjen e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore deri në muajin qershor.

Maxhoranca në Kuvend ka konfirmuar serish se ka me vetë votat e deputetëve të opozitës së re, të cilët kanë bashkuar serish votat, për të shtyrë deri në 23 qershor të këtij viti gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

“Dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendimin nr. 243, datë 24.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, deri në datën 23.06.2020”, thuhet në vendimin e miratuar sot nga Kuvendit.

Kundër këtij vendimi kanë votuar 5 deputetë, ndërkohë që kanë abstenuar vetëm 3 ligjvënës.

 

Qëllimi

Sipas relacionit te vendimit te maxhorancës thuhet se: “Projektvendimi ka për objektiv garantimin e sigurisë së jetës së popullatës për shkak të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 243, datë 24.3.2020 ¨Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore¨, shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore për një periudhë 30 ditore, për shkak të përhapjes së infeksionit, afat që përfundon deri në datën 24.4.2020. Masat e marra deri tani kanë ndihmuar shumë në mospërhapjen në masë të infeksionit i cili ka pasur një përhapje gjeografike pothuajse në të gjithë vendin. Sipas relacionit të qeverisë, vendi ndodhet në një situatë të kontrolluar, por është shumë e rëndësishme që qytetarët të respektojnë rregullat lidhur me distancimin fizik si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit.

Sipas argumentave të parashtruara nga përfaqësuesit e qeverisë në mbledhjen e Komisionit, shtyrja e gjendjes së fateqësisë natyrore do të jetë në funksion të monitorimit të vazhdueshëm nga ana e qeverisë ndaj efekteve që do të shoqërojnë masat e reja lehtësuese të aplikuara nga qeveria për lëvizjen e qytetarëve dhe hapjen e disa bizneseve për dy javët në vazhdim. Në rast se këto masa do të shkaktojnë shtim të përhapjes së infeksionit në popullatë, qeveria do të detyrohet të shtrëngojë përsëri masat e marra gjatë ditëve në vijim.

Login to post comments