Fasoneritë, vatrat e COVID19, Duma: Nëse qeveria nuk i del para rrezikut, është vetë rreziku

Saturday, 25 Prill 2020 18:51

Teksa fasoneritë po kthehen në burimin më të madh të Koronavirusit në vend, ish deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma, përmes një reagimi në Facebook shprehet se, qeveria ka për detyrë dhe mision të paraprijë, ti dalë përpara rrezikut, nëse nuk e bën këtë qeverisja është vetë rreziku.

Sipas Dumës, kjo nuk është një çështje fasonerish, është çështje vatrash që shpërndajnë sëmundje e ndoshta vdekje. Askush s’mund të guxojë ti trajtojë këta punëtorë nevojtarë për një rrogë minimale, si njerëzit e askujt!

Reagimi i plotë:

Qeveria ka detyrë, mision, arsye pse ekziston: të paraprijë, tí dalë përpara rrezikut, nëse nuk e bën këtë qeverisja është vetë rreziku.

Të manaxhosh fatkeqësinë që duhet të parandaloje është njësoj si të thuash, kam sukses me transplantin e zemrës në spitale se se më janë shtuar aksidentet vdekjeprurëse me donacione zemre.

Të presësh që gjërat të ndodhin pasi i ke lënë në rënie të lirë është si tí japësh një çadër shiu atyre që po i godet cunami.

Sot nëse dikush e relativizon situatën, e bën sepse ka frikë ta pohojë të vërtetën me fjalë.
Sa herë e kanë përdredhur fjalën për të mos pranuar të vërtetën, aq herë ajo, e vërteta, i merr përpara edhe më egër edhe me më shumë kosto.

Nuk kemi dashur asnjëherë të jemi as thirrësit as ndjellësit e fatkeqësivë është bërë çdo gjë që të jemi forca që me të gjitha mjetet i paraprin problemit dhe të keqes.

Nëse sot PD i tregon shqiptarëve që ka ngulmuar çdo moment ti paraprijë të keqes, këtë nuk e ka bërë duke i thënë Ramës “ta kisha thënë po s”më dëgjove”. Asnjëherë nuk kemi përfituar nga dështimi që rëndon mbi shqiptarët, këtë po vijojnë bëjnë shushunjat e përjetshme të këtij vendi.

Datë pas date, ditë pas dite, pa asnjë tërheqje nga qartësia që i shërbejme shqiptarëve, është kërkuar të merren masa për fasoneritë.
Ngultas, qëndrueshëm, pa asnjë ndalesë, ndonëse Rama përdridhte gjithë fjalorin për të mos ta pranuar u vazhdua të kërkohej mbyllja e këtyre ndërmarrjeve që mund të marrin jetë njerëzish.

Kjo nuk është një çështje fasonerish, është çështje vatrash që shpërndajnë sëmundje e ndoshta vdekje. Askush s’mund të guxojë ti trajtojë këta punëtorë nevojtarë për një rrogë minimale, si njerëzit e askujt!

Duhet dhe do të bëjmë gjithshka për të parandaluar, për të ndalur dallgën e krizave, dallgën e rrënimit; pa çeduar asnjëherë në misionin tonë.

- Kërkuam karantinimin e shpejtë të menjëhershëm, e detyruam qeverinë të merrte masat e izolimit disa ditë më vonë.
- Kërkuam që menjëherë të nisej më planin ekonomik për pagesën e bllokimit të ekonomisë.
-Po ngulmojmë në mbylljen e fasonerive si mbyllje e vatrave të sëmundjes dhe mosveprimi që po shkakton infektime në masë.
-Po ngulmojmë për testime masive sepse të dëshmitë dhe logjika tregojnë që shifrat zyrtare nuk përfaqësojnë realitetin dhe se njohja e vatrave dhe situates do ta hapte me shpejt jetën dhe ekonominë.

Shumë është bërë për të shkatërruar çdo besim tek politika. Politika që ndërton besim është ajo që vepron si digë për fatkeqësinë, si digë që të ruan nga mjerimi.

Të pararendësh është të ecësh një hap në të ardhmen, në atë të ardhme që i pasuron dhe i ruan jetët e shqiptarëve. Po pararendim me këtë qartësi!

 
 

Modifikuar më Saturday, 25 Prill 2020 22:27
Login to post comments