“Nga qeveria kujdestare para votimeve, te administrata zgjedhore”- Zbardhen diskutimet në mbledhjen e selisë së PD. Porosia e Bashës për aleatët

E mërkurë, 06 May 2020 13:46

 Mosdakordësia për qeverinë tranzitore para zgjedhjeve, reformimi i administratës zgjedhore dhe kundërshtitë për formulën e financimit të partive duket se do të pengojnë rimbledhjen e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore deri në një konsensus.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi dje për të dytën herë aleatët pas një ndalimi të takimeve për shkak të Covid-19, ku burime nga brenda mbledhjes bënë me dije për gazetën “Panorama” se objekt i bisedës ka qenë situata e vështirë ekonomike e qytetarëve dhe bizneseve për shkak të pandemisë, Reforma Zgjedhore dhe axhenda politike e opozitës në vijim.

bashaSa i përket Reformës Zgjedhore, e cila është rikthyer në vëmendje ditët e fundit, mësohet se kryedemokrati u ka thënë aleatëve se nuk mund të ketë një rinisje të punës pa kthyer më parë përgjigje maxhoranca për propozimet e opozitës, të cilat deri në mbledhjen e fundit të 9 marsit nuk kishte dakordësi.

Tri nga çështjet kryesore ku Këshilli Politik, me të gjithë përfaqësuesit e partive politike nuk kanë gjetur dakordësinë, janë qeveria tranzitore para zgjedhjeve, reformimi i administratës zgjedhore dhe financimi i fushatave zgjedhore. Në lidhje me qeverinë tranzitore, përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri, është shprehur më herët se i tejkalon kompetencat e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ndërkohë, në lidhje me administratën zgjedhore, së fundmi iu drejtuan ekspertëve të OSBE-së për të bërë formulimin e nenit.

Në lidhje me axhendën politike, burimet i thanë gazetës “Panorama” se kryedemokrati Lulzim Basha i ka porositur aleatët që të nisin takimet me strukturat për t’u përgatitur për zgjedhjet. Ndërkohë, të gjitha palët kanë qenë të unifikuara sa u përket protestave, sipas të cilëve nuk janë të përshtatshme dhe se opozita nuk duhet të organizojë të tilla për momentin, por nëse do të ketë nisma të tilla nga vetë qytetarët, do t’i përkrahë ato.

MAXHORANCA

Në fillim të javës, përfaqësuesi i maxhorancës për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, zhvilloi një bisedë me “Skype” me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ku sipas një postimi të shpërndarë nga Gjiknuri, fokusi i bisedës ishte Reforma Zgjedhore.

“Pata kënaqësinë të bashkëbisedoj sot me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim. E informova për ecurinë e deritanishme të procesit të Reformës Zgjedhore dhe kërkova mbështetjen e SHBA-së për të nxitur dhe shtyrë përpara rifillimin e tryezës së dialogut politik, dakordësimin e çështjeve të mbetura pezull dhe përmbylljen e reformës brenda qershorit. Miratimi i ligjit të ri elektoral na hap rrugën më pas për arritjen e konsensusit edhe për reformimin e financimit të partive politike, parakusht për shëndoshjen e sistemit demokratik”, shkroi Gjiknuri në “Facebook”.

Ndërkohë, këtë të mërkurë mblidhet online Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, ku sipas rendit të ditës, dy bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, do të informojnë anëtarët për punën e bërë në Këshillin Politik deri më tani. Kuvendi shtyu mandatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore deri në qershor të këtij viti, pasi për më shumë se dy muaj puna u ndërpre për shkak të pandemisë së koronavirusit. Komisioni Parlamentar do të jetë instrumenti që do të çojë në Parlament draftin final të dakordësuar në Këshillin Politik.

 

Login to post comments