Ardian Dvorani prej gjashtë muajsh akuzohet se është bllokuesi kryesor i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti Meta, lëvizja më e fundit e të cilit është verifikimi i ligjshmërisë së mandatit të tij si gjyqtar. Kreu i shtetit ka kërkuar nga Këshillit të Lartë Gjyqësor ndërprerjen e mandatit të tij nën argumentin se ai është zëvendësuar nga një prej tri gjyqtarëve të zgjedhur nga radhët e juristëve të spikatur, pra Sokol Sadushi, Ilir Panda apo Ervin Pupe.
Ky pretendim i Presidencës është hedhur poshtë nga ana e Ardian Dvoranit nën argumentin se zgjedhja e tri anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk është bërë në mënyrë nominale ku njëri kandidat zëvendësonte mandatin e vendi vakant. Krahas kësaj, nga përgjigjet shkresore që Dvorani i ka dërguar KLGJ-së thekson se duhet të emërohet edhe një gjyqtar tjetër nga radhët e juristëve të spikatur në mënyrë që zëvendësimi i tij të ezaurohet tërësisht.
Nisur nga kjo mbrojtje e Dvoranit, Presidenti ka publikuar një shkresë të Këshillit të Lartë Gjyqësor ku shkruhej se 3 vakancat u shpallën kur z. Zaganjori ishte në detyrë dhe për rrjedhojë brenda këtyre 3 vakancave ishte edhe posti që mban Ardian Dvorani. Kjo sipas Presidentit do të thotë se me emërimin e 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, pozicioni i Dvoranit është zëvendësuar dhe për këtë ai duhet të largohet nga ajo detyrë. Për të marrë një përgjigje se çfarë do të ndodhë me mandatin e Ardian Dvoranit KLGJ i është drejtuar dy partnerëve kryesorë të hartimit të reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës, thotë se, z. Dvoranit i ka përfunduar mandati që në vitin 2016 ndërsa vakanca për zëvendësimin e tij është plotësuar me emërimin e tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë.
“Z. Dvorani që më 12 gusht 2016, kur hynë në fuqi ndryshimet e reja Kushtetuese qoftë dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që pas asaj dite qëndrimi i Dvoranit në detyrë nuk është i rregullat. Tre vende vakante janë shpallur në korrik 2019 nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ndërsa vakanca e z. Zaganjori është e veçuar nga tre vakancat e tjera”, tha ai.
Z. Dervishaj shtoi më tej se, vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’i kërkuar mendim EUROLIUS dhe OPDAT është kërkuar interpretimi i një neni të kushtetutës që nuk ka lidhje me këtë çështje. Sipas tij i vetmi vendim që KLGJ duhej të merrte ishte njoftimi për lirimin nga detyra për Dvoranin dhe propozimi për të kaluar si pjesë e apelit.
“Vendimi nuk ka qenë unanim por me shumicën e votave në këshill është kërkuar interpretimi i një neni të Kushtetutës që nuk ka lidhje fare me çështjes sipas mendimin tim si juriste”, deklaroi ai.
Ai kërkoi nga KLGJ që të përshpejtoi procesin e emërimeve në Gjykatën e Lartë pasi po vijohet me një proces shumë të ngadaltë në emërimin e 19 anëtarëve të saj. Ky proces është i varur dhe me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, por gjithashtu janë 35 mijë dosje që presin të shqyrtohen nga Gjykata e Lartë.
Sipas z. Dervishaj duke i referuar studimeve të organizatave jo politike, do të duhet 10 deri në 20 vjet për shqyrtimin e këtyre dosjeve.
Lidhur me çështjen më të fundit të kalimit në pronësi të truallit të Teatrit Kombëtar nga qeveria tek Bashkia e Tiranës, këshilltari ligjor i Presidentit tha se, shumë shpejt do ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
“Presidenti e ka bërë me ditur dhe pret reagimin e institucioneve përkatëse, nëse jo, një padi e re do ti atashohet asaj të parës sepse sipas ligjit, vazhdon të gjykohet në Gjykatë Kushtetuese pasi çështja paraqet interes të lartë publik”, përfundoi z. Dervishaj.