PDIU thirrje mbështetëseve: Nuk ikën Covid-19 pa u shembur Teatri, të mbrojmë godinën

Premte, 15 May 2020 15:47

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet iu është bashkuar reagimeve sa i takon debatit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Përmes një reagimi, mes ironisë, PDIU theksoi se nuk ikën Covid-19 pa u shemb Teatri.

Mes të tjerash PDIU i bëri thirrje qytetarëve që të mbrojnë teatrin.

“RREGJIMI RILINDAS i FB pasi u tall me ekonominë e varfërinë e shqiptarëve, nuk hoqi dorë as në kohë pandemie nga grabitja e pronës publike dhe taksave të shqiptarëve.
Sigurisht që në kohë pandemie realizimi i prishjes së Teatrit Kombëtar, ëndrra 20 vjeçare e Edi Ramës është shfaqja më brutale e pushtetit absolut të një njeriu, e shoqëruar si gjithmonë me një aferë futje duarsh në xhepat e shpuar të shqiptarëve.
Në kundërshtim me kushtetutën, në mesnatë kalojnë VKM- të e qeverisë, e po në mesnatë mblidhen të emëruarit e Rilindjes për Tiranën, sepse “Komiteti Qëndror i Ekspertëve” të pandemisë, i ka thënë Rilindasve që Covid-19 nuk del natën.
PDIU vlerëson se vendimi për prishjen e Teatrit Kombëtar shkatërron përfundimisht çdo iluzion për një shtet ligjor në Shqipëri dhe është në të njëjtën kohë një atentat ndaj trashëgimisë kulturore e shpirtërore të vendit.
PDIU mbështet pa asnjë rezervë Aleancën për Teatrin dhe i bën thirrje të gjithë mbështetësve të saj, të jenë në mbrojtje të Teatrit Kombetar dhe të shtetit ligjor në vend.
Shtimi artificial i numrit të të infektuarve dje dhe sot, që mesa duket është strategjia e re e “Komitetit Qendror Teknik” me qendër në Surrel, do të konsiderohet si një manovër e regjimit autoritarist dhe do reagohet si ndaj çdo regjimi diktature.”, thuhet në reagimin e PDIU-së.

Login to post comments