Grabitja e parë (1999) e Ramës te Teatri Kombëtar

Hënë, 18 May 2020 12:17

 

Sot kur godina e Teatrit Kombëtar është rrafshuar, pas veprimeve arbitrare dhe të jashtëligjshme të qeverisë dhe bashkisë, shumëkush e lidh këtë akt edhe me këmbënguljen e Ramës për të zhdukur provat e njërit prej mëkateve fillestare të tij: kontratën skandaloze 5-vjeçare që ai nënshkroi si ish-ministër kulture, për të mbajtur bingon me emër nga ato që Ramës i pëlqejnë 'Ylli Buzëmadhe International', brenda në Teatër.

Dhe këtu krimi nuk është vetëm mora për mbajtjen e një bingoje në një prej institucioneve kulturore më të rëndësishëm të vendit. Ai mbi të gjitha është juridik dhe financiar. Sepse duke nënshkruar në 1 qershor 1999 kontratën me përfaqësuesin e Ylli Bingo, Ylli Reçi, Rama vuri firmën mbi diçka për të cilën nuk kishte të drejtë. Sipas ligjit të kohës, ministri i linjës, pra në këtë rast ai i Kulturës, nuk kishte të drejtë të bënte kontrata për sipërfaqe publike që i kalonin 500 M2. Atë e kishte ministria e Ekonomisë që në atë kohë drejtohej nga Ylli Bufi.
Por çfarë bëri Rama që paratë mos rridhnin diku tjetër?

Atë që në Shqipëri kanë bërë rëndom të gjithë grabitësit e pronave. Ai falsifikoi hartën dhe e paraqiti hapësirën që i jepte bingos, si më të vogël se 500 M2. Ky këtu poshtë është një dokument i nxjerrë nga gazetari dhe pjestari i AMB, Kastriot Çipi i cili ka zbuluar në arkiva një dokument të matjeve inxhinjerike që specialistët kanë bërë në vitin 1995.

Sipas tij duket qartë që sipërfaqja e hapsirës së dhënë është 575 metra. Por kur nënshkroi kontratën Rama e bëri atë arbitrarisht 500 M2…

Po ku është e keqja e kësaj kontrate të re me “Ylli Buzëmadhe International”? Ajo qëndron në faktin kjo bingo kishte edhe një kontratë të mëparshme me teatrin, në vitin 1995 atëherë kur është bërë edhe matja. Nga kjo kontratë e parë sado e turpshme qoftë, teatri merrte 74 mijë dollarë në vit. Kurse në kontratën e dytë të jashtëligjshme që firmosi Rama si ministër kulture, shifra e pagësës nga privati u përgjysmua.

A mos vallë letrat u falsifikuan dhe u nënshkrua një kontratë e parregullt që të ndaheshin këto para?

Duke e shembur krejtësisht godinën e teatrit, pra edhe atë të atij eksperimental ku gjendej “Ylli Buzëmadhe International” kjo enigmë mund të mbetet përjetësisht e pazgjidhur./Lapsi.al

Login to post comments