Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka bërë të ditur sot se PD-ja mbështet propozimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë drejtuar qeverisë shqiptare, për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.
Vet Basha, pas takimit që pati me drejtuesit e kësaj Dhome, bëri të ditur në Fb: "Sot pata kënaqësinë të pres përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë – AmCham, z. Enio Jaco, President i Bordit; z. Alex MacFarlane, Atasheu i Seksionit për Çështjet Politike & Ekonomike në Ambasadën e SHBA-së; z. Reshard Këlliçi, Sekretar i Bordit dhe znj. Eni Xheko, anëtare e Bordit.
Në qendër të diskutimit ishte kriza ekonomike dhe në veçanti domosdoshmëria për të përmirësuar klimën e biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja të cilat lidhen direkt me punësimin.
Lufta kundër monopoleve dhe trajtimit të pandershëm të investitorëve në Shqipëri, lufta kundër korrupsionit dhe klientelizmit, sundimi i ligjit dhe siguria juridike, janë disa nga sfidat jetike para të cilave ndodhet vendi dhe ekonomia.
Në takim diskutuam edhe mbi pasojat e Covid-19 në ekonominë shqiptare. Aksesi në likuiditet, lehtësimi i barrës fiskale për bizneset dhe mbështetja ndaj tyre për të ruajtur vendet e punës, janë ndër kërkesat e kahershme të AmCham dhe çështje prioritare të platformës tonë.
Partia Demokratike mbështet propozimet e bëra publike të Dhomës Amerikane të Tregtisë – AmCham drejtuar qeverisë shqiptare, duke i konsideruar ato të drejta dhe të duhura për t’i dhënë përgjigje sfidës së përballimit të pandemisë ekonomike dhe rivitalizimin e ekonomisë në të ardhmen," e përfundon mesazhin e tij kreu i opozitës.