Ambasadori italian në Tiranë: Teatri çështje e komplikuar, shkon përtej prishjes së godinës

Premte, 22 May 2020 19:46

Ambasadori italian në Tiranë, Fabrizio Bucci nga Gjirokastra u shpreh se vendimi për shembjen e Teatrit Kombëtar është një vendim që i takon qeverisë shqiptare.

Në këndvështrimin e përgjithshëm ai tha se është për ruajtjen e pasurisë kulturore dhe urbanistike, pasi roli italian ka qenë shumë thelbësor në ndërtimin e Tiranës moderne por konkretisht për rastin në fjalë deklaroi se ka shkaktuar përplasje politike dhe është një çështje e komplikuar duke mos pranuar që të hynte në detaje.

 

Është një çështje shumë delikate, që ka krijuar një valencë të politikës së brendshme shumë të fortë. Shkon përtej Teatrit Kombëtar, prishjes së godinës. Ne e kemi thënë gjithmonë edhe në vitet e shkuara, që vlerat, pasuria kulturore, urbanistike është e rëndësishme dhe duhet ruajtur nga një këndvështrim shumë i përgjithshëm. Sa i përket çështjes specifike të teatrit, është një vendim që u përket autoriteteve shqiptare për t'u marrë. Një vendim klasik, që i takon qeverisë shqiptare. Unë po përsëris atë që ne kemit thënë dhe demonstruar, e kemi shumë për zemër ruajtjen e pasurisë. Roli italian ka qenë shumë thelbësor në ndërtimin e Tiranës moderne.

 
 
 

Në fushën e kulturës ne kemi qenë dhe jemi shumë aktivë. Për shembull me rastin e konferencës së donatorëve në shkurt donatorë që kanë bërë bashkë donatorë të rëndësishëm, Italia ka qenë dhuruesi kryesor me 91 mln euro, një pjesë e tyre do të shkojnë për të rikonstruktuar pasurinë kulturore të dëmtuar nga tërmeti. Është një çështje shumë e komplikuar, nuk dua të hyj në detaje është shumë e ndërlikuar.

 
 

Aq më shumë që ka shkaktuar edhe përplasje politike. Italia ka qenë gjithmonë e impenjuar në ruajtjen e pasurisë, kemi lënë dëshmi të rëndësishme në Shqipëri dhe në Tiranë dhe ku ka qenë gjithmonë objektivi ynë, të japim një kontribut. Ruajtja e pasurisë kulturore mbetet një prioritet i rëndësishëm për ne-tha Fabrizio Bucci.

Login to post comments