Mazhoranca ka gjetur ‘çelësin’ për të zhbllokuar ngërçin me presidentin për emërimin e kreut të KLSH. Kjo do të bëhet përmes ndërhyrjes në ligjin organik të funksionimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
A2CNN ka lexuar draftin që mazhoranca ka gati dhe pritet të përcjellë në Kuvend, ku parashikon disa hapa, duke nisur që nga shfuqizimi në ligjin aktual të normativës që mban në karrige kreun e këtij institucioni deri në zgjedhjen e pasardhësit. Kjo do të lejonte largimin e Bujar Leskajt nga drejtimi i KLSH-së. Hapi i dytë është shtimi i postit të zëvendëskryetarit.
“Kuvendi me propozim të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit emëron zëvendëskryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zëvendëskryetari emërohet për një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhje më shumë se një herë dhe ushtron funksionet e Kryetarit, në të gjitha rastet kur vendi i Kryetarit mbetet bosh për shkak të mbarimit të mandatit ose shkarkimit”, thuhet në draft.
Por me largimin si fillim të kryetarit në detyrë, Bujar Leskaj, nga ku niste edhe ndërhyrja ligjore e mazhorancës, nuk ka kush të propozojë zëvendëskryetarin.
Këtë socialistët kanë menduar ta tejkalojnë me një dispozitë tranzitore, duke ja deleguar kompetencën Komisionit të Ekonomisë. ‘Brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi verifikon menjëherë vakancën në postit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat, brenda 15 ditëve vijuese i propozon Kuvendit, kandidaturën që do të komandohet në postin e Zëvendëskryetarit të KLSH dhe do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e emërimit dhe plotësimit të vakancës së Kryetarit të KLSH.
Me këto parashikime ligjore, Kuvendit do t’i duhen 84 vota dhe një muaj kohë, për të shtuar një karrige në KLSH, me qëllim zgjidhjen e ngërçit me Presidentin që vijon që prej dhjetorit 2018, kur kryetarit në detyrë, Bujar Leskaj i mbaroi mandati. Që atëherë, mazhoranca i ka rrëzuar Ilir Metës 3 kandidatura: Vitore Tushën, Bahri Shaqirin dhe Petraq Milon.