Komisioni i Venecias rrëzon ligjin anti-shpifje të Edi Ramës

Premte, 05 June 2020 16:12

Komisioni i Venecias i sugjeron qeverisë shqiptare që të rishikojë paketën antishpifje, për të cilën Këshilli i Europës kërkon mendimin e këtij institucioni.

A2 disponon ekskluzivisht draft-opinionin e Venecias, që konsideron se draft-amendamentet e ligjit për shërbimet audiovizive nuk janë gati për zbatim në variantin aktual

Ligji vuan nga paqartësitë dhe mund të ketë një efekt frenues të fjalës së lirë dhe fjalimit politik në Shqipëri. Venecia vëren se Autoritetit të Medias Audiovizive i jepen fuqi të mëdha administrative për median ‘online’, prandaj kërkohet të rishikohet formula e përzgjedhjes së AMA-s dhe Komitetit të Ankesave.

 ‘Përbërja e AMA-s dhe Komiteti i Ankesave, i cili zgjidhet nga AMA në bazë të rregullave të hartuara nga AMA, mund të krijojë shqetësime të ligjshme për pavarësinë e këtyre dy organeve. Prania e përfaqësuesve të komunitetit të medias dhe shoqërisë civile që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me forcat kryesore politike, mund të jetë një hap që forcon pavarësinë e këtij organi.

Së dyti, ‘është e paqartë nëse anëtarët e AMA-së dhe të Komitetit të Ankesave janë mjaftueshëm të pavarur nga industria e madhe e mediave, në bazë të rregullave për papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesit’.

Komisioni i Venecias kritikon edhe gjobat e larta në rast të shkeljeve të ligjit nga mediat ‘online’, që variojnë nga 100 mijë deri në 800 mijë lekë: ‘Jashtëzakonisht problematike për lirinë e mediave në kontekstin shqiptar është natyra e ashpër dhe me efekte të mëdha negative e gjobave. Gjobat jashtëzakonisht të larta paraqesin një kërcënim me efekt pothuajse aq të ftohtë sa burgimi, megjithëse më shumë tinëzarë’ mund të shihet një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media’.

‘Komisioni i Venecias nuk mbështet gjithshtu parashikimet ligjore të cilat nuk garantojnë pezullim të gjobave ndaj mediave ‘online’ në rast ankimimi në gjykatë’, lexohet në raport.

Komisioni i Venecias kujton se sanksionet e rënda nuk duhet të zbatohen menjëherë; procedurat gjyqësore në raste të tilla duhet të kenë një efekt pezullues dhe gjykatat duhet të kenë fuqinë të rishikojnë përmbajtjen e vendimeve në kuadrin e procedurave të cilat ofrojnë garanci themelore të gjykimit të drejtë.

Në fund, Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetërregullues që funksionon në mënyrë efektive dhe që përfshin të gjithë aktorët përkatës në fushën e mediave.

Login to post comments