Presidenti i Republikës Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e 5 partive politike shqiptare në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që njihet edhe si Lugina e Preshevës, që në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore.
Meta shkruan se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhje, bashkëpunimi i të gjitha subjekteve politike do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare.
“Përshëndes ngrohtësisht dorëzimin e listës së përbashkët të partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës për zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit.
Shpreh bindjen se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhje, bashkëpunimi i të gjitha subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare, në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi”, shkruan Kreu i Shtetit.