Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp, prej nga deklaroi se është shumë i lumtur që vendi ka marrë 650 milionë euro borxh.
Por Rama e shfrenoi gjuhën edhe ndaj opozitës, duke sulmuar ish-deputeten Jorida Tabaku.
“Më vjen keq që flitet në mënyrë të ngjashme me fluturimin e atyre balonave tabake pa bisht,” tha Rama.
Pas fyerjeve, Jorida Tabaku reagoi si zakonisht, duke iu përmbajtur fakteve dhe shifrave.
“Me batutat e tij banale, bajate dhe të vjetra si ai vetë, mund të qeshin ata 5 veta që marrin tendera e koncesione, por jo 3 milionë shqiptarë. Ata janë skllevër që ai i ngarkoi me 4.2 miliardë taksa të rritura, i detyroi të largohen dhe që sot po mbyllin masivisht bizneset.
Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë është më i varfër.
Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë është pa punë.
Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë kërkon të largohet,” tha Tabaku.
Por në mënyrë të pabesueshme, njeriu që njihet për gënjeshtrat dhe fyerjet, reagoi duke thënë se zonja Tabaku e kishte fyer.
“Përmbahu zonja Tabaku, përmbahu sepse gjuha e akuzave dhe fyerjeve nuk është as argument, as shembull qytetarie në një shoqëri që ka nevojë për t’u pastruar në gjak e në mendje nga helmi i fjalëve të rënda, të cilat prej vitesh janë bërë buka dhe djathi i tregut të politikës…”, tha Rama.